Qendra për Pajisje me Dokumente në Prishtinë kufizon përkohësisht ofrimin e shërbimeve me palë

Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka njoftuar për kufizim të ofrimit të shërbimeve me palë pas rezultimit me COVID-19 të disa zyrtarëve.

“Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Prishtinë, pas daljes së rezultateve të testimit, disa zyrtarë të QPD-së kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Për shkak të rrezikut nga përhapja e COVID-19, është marr vendim  që Qendra  për Pajisje me Dokumente në  Prishtinë, të  kufizojë  ofrimin e shërbimeve me palë duke ofruar vetëm shërbime esenciale,” thuhet në njoftim.

Tutje sipas tyre deri të testohet i gjithë stafi shërbimet për pajisje me dokumente do bëhen në qendra të tjera të rajonit të Prishtinës.

“Deri në përfundimin e procesit të testimit të stafit të kësaj Qendre, të gjitha shërbimet e aplikimit për pajisje me dokumente, mund të bëhen nëpër Qendrat për Pajisje me Dokumente në Rajonin e Prishtinës (Podujevë, Graçanicë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Drenas ) apo edhe në  Qendrat tjera më të afërta në territorin e Republikës së Kosovës,” thuhet tutje në njoftim.

MPB thekson se në qendrën për dokumente në Prishtinë mund të bëhet vetëm tërheqja e dokumenteve të gatshme si dhe aplikimi i rasteve urgjente.