Zjarrëfikësit FOTO- Atdhe Mulla

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave 'hedh fajin' te komunat për mungesën e zjarrfikësve

Ditë më parë KALLXO.com ka raportuar se në Brigadën e Zjarrfikësve në komunën e Prishtinës, ka mungesë të zjarrfiksësve.

Komandanti i kësaj brigade, Latif Zeka, me 4 maj kishte treguar se në orarin e mbrëmjes nëse do të ndizeshin dy zjarre në të njejtën kohë në dy zona të ndryshme të Prishtinës, ekziston rreziku që zjarrfikësit e kryeqytetit të mos arrinin t’i fiknin të dyja.

“Janë dikun 7 në mbrëmje. Me të vërtetë jemi shumë pak, shumë pak. Dy janë në pushim mjekësor, me shëndet i kanë punët shumë keq. Nuk ka kapacitet, vetëm varet prej zjarrit që bie. Për fat të mirë kanë filluar të zvogëlohen. Me të vërtetë është një katastrofë e madhe, ishalla nuk i ndodhë dikujt keq, se me të vërtetë jemi shumë keq”, tha ai për KALLXO.com.

Ai kishte thënë se ka buxhet edhe për 22 zjarrfikës të tjerë, por që sipas tij, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave nuk po i shpall konkurset.

Në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, këta të fundit ‘kanë hedhur topin’ te komunat, përkatësisht në këtë rast te ajo e Prishtinës.

“Sa i përket Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në komunën e Prishtinës, Agjencia në momentin që sigurohet konfirmimi i disponueshmerisë së mjeteve buxhetore për pozita të lira në nivel lokal përkatësisht nga komuna e Prishtinës do të zhvillojmë  procedurën e rekrutimit për plotësimin e vendeve të lira”, thuhet në përgjigjet e AME.

Sipas AME-së, rregullorja për strukturën organizative të NJPZSH-së, e cakton se numri i pjesëtarëve të zjarrfikjes përcaktohet nga vlerësimi i rrezikshmërisë. Sipas tyre, standard i përcaktuar në rregulloren e cekur më lartë mund të merret edhe në bazë të numrit të banorëve, 1500 banorë – një zjarrfikës.

Aktualisht numri i përgjithshëm i zjarrfikësve në nivel vendi është 791 pjesëtarë.

“Në planin e personelit Agjencia nuk ka mundësi planifikimin për këto kategori, arsyeja qëndron në faktin se mjetet buxhetore për këto kategori vazhdojnë të menaxhohen nga niveli lokal ku përfshihen pagat, mëditjet, mallrat dhe shërbimet, andaj është e pamundur parashikimi për vendet e lira”, thotë AME.

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), është ankuar se gjatë vitit të pandemisë është ballafaquar edhe me shkurtime buxhetore, sipas tyre, rreth 50%.

Sipas tyre, është bërë shkurtim buxhetor në kategorinë ekonomike, mallra dhe shërbime në vlerë 200 mijë eure, të cilat kanë qenë të planifikuara, sipas AME-s, për furnizim me uniforma kundër zjarrit.

“Ka qenë e planifikuar të ndërtohet një objekt në NJPZH, e cila ofron parcelë për ndërtim në vlerë 200 mijë euro, sipas modelit turk që kemi ndërtuar në tri komuna, nuk është realizuar pasi që ka pasur shkurtime në buxhet”.

AME-ja thotë se ka pasur shkurtime edhe në disa investime të tjera, si: Furnizim me aparate të frymëmarrjes, nga 100 mijë është shkurtuar në 50 mijë euro; Paisje të përbashkëta për zjarrfikës nga 50 mijë është shkurtuar në 25 mijë; si dhe renovime të objekteve në nivel vendi, është shkurtuar buxheti nga 50 mijë në 25 mijë euro.

“Problemi kryesor qëndron në atë se buxheti i këtyre njësive ende është nën menaxhim të komunave, e që është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Zjarrfikës dhe Shpëtim, sepse këta janë punonjës të MPB-së, derisa buxheti ende është në nivel lokal dhe kjo po krijon vetëm probleme dhe paqartësi të mëdha”, thuhet në përgjigje e AME-së, për KALLXO.com .

Rreziku i lartë: Prishtina sonte me vetëm 7 zjarrfikës,komandanti alarmon për mungesë të stafit