Zjarri në Bjeshkët e Deçanit | Foto: Lidhja e Historianëve - Deçan

Agjencia e Menaxhimit Emergjent thotë se zjarri në Deçan aktualisht është nën kontroll

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se zjarri i cili përfshiu vendin e quajtur “Çeli” në Deçan, mbrëmjen e kaluar (08.03.2025), aktualisht është nën kontroll.

Ky institucion tha se ekipet e zjarrfikësve janë duke punuar ende për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit.

“Një nga zjarret më të mëdha aktualisht është regjistruar në Komunën e Deçanit, në vendin e quajtur “Çeli”, ku kanë përfshirë një sipërfaqe me gështenja dhe shkurre. Pas pranimit të njoftimit, janë mobilizuar forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore si dhe vullnetarë. Ekipet po punojnë intensivisht për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, aktualisht, zjarri është nën kontroll”- thuhet në njoftim.

AME duke bërë të ditur se në nivel vendi është vërejtur një shtim i zjarreve ka apeluar tek qytetarët që të shmangin ndezjen e tyre në natyrë.

“Agjencia e Menaxhimit Emergjent, MPB, apelon për kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë stinës së thatë, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë dhe duke raportuar menjëherë çdo rast të dyshimtë në numrin emergjent 112. Ky numër është falas nga të gjithë operatorët e komunikimit elektronik në Kosovë”- ka theksuar AME.

Për zjarret në Deçan ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Shpërthimi i zjarreve në Bjeshkët e Deçanit, saktësisht në zonën e Kullës së Qelisë, është shqetësues për shkak të përmasave të tij dhe rrezikut që paraqet. Jam në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, dhe falë reagimit të shpejtë të komunës, ekipet e zjarrfikësve dhe shumë qytetarë vullnetarë janë mobilizuar për ta përballuar situatën”, ka shkruar ai, duke apeluar për kujdes maksimal nga të gjithë qytetarët, sidomos ata që ndodhen pranë zonave të prekura.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosajt, ka deklaruar të shtunën pë Kallxo.com se zjarri dyshohet se është shkaktuar pa qëllim nga qytetarët, të cilët kanë frekuentuar zonat malore të asaj ane.“Po besoj faktori është njeriu, pakujdesia, është dalë dikush me shëtit. Kështu po supozojmë. Edhe ka ba piknik edhe e ka lënë zjarrin ndezë dhe me siguri është përhapë prej tyre”- ka thënë Ramosaj.

Zjarr në malet e Deçanit, kryetari i Komunës fton qytetarët t’i ndihmojnë zjarrfikësve