
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com. Ilustrim.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent: Mbi 290 raste të zjarreve për tri ditë në Kosovë
Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj në një Konferencë për media ka deklaruar se gjendja aktuale me numrin e rasteve të zjarreve në Kosovës paraqet rrezik serioz për qytetarët, mjedisin dhe pronën publike.
Sipas Metajt, ditëve të fundit është vërejtur një shtim i rasteve të zjarreve në nivel vendi.
“Vetëm javën e parë të marsit i kemi pasë 57 raste të zjarreve, ndërsa vetëm nga data 07 deri më 10 mars kanë qenë 294 raste të zjarreve: prej tyre 75 kanë qenë malore, 156 kanë qenë zjarre fushore dhe 63 kanë qenë zjarre të tjera.” – tha Metaj, më 10.03.2025.
Metaj bëri të ditur se zjarret aktive janë në fshatin Dobroshec të Drenasit, në fshatin Feriçevë të Kamenicës dhe në Drenoc të Malishevës.
“Shkaqet kryesisht janë dora e njeriut d.m.th. vijnë nga faktori njeri. Ne si Agjencion kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme, kemi ngritë gjendjen e gatishmërisë në nivel vendi dhe nga sot fillojmë me patrullimet e rregullta të zjarrfikësve në gjithë Komunat.” – ka njoftuar Metaj.
Metaj tregoi se është takuar të hënën, më 10.03.2025, me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Fehmi Hotin; me të cilët tha se janë në koordinim për situatën me rastet e zjarreve dhe me synimin e rritjes së numrit të patrullimeve në nivel vendi, por edhe që kryerësit të sillen para Ligjit për veprat e tyre.
Metaj i ka ftuar qytetarët që të mos hezitojnë në raportimin e rasteve, qoftë edhe në mënyrë anonime në Policinë e Kosovës, Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, te zjarrfikësit në numrat pa pagesë: 112, 192 dhe 193.
Ai tha se aktualisht nuk mund të bëjnë një vlerësim të dëmeve nga rastet e zjarreve që kanë ndodhur, për shkak të procedurave që duhet ndjekur.
Metaj njoftoi se pas një Konkursi për rekrutimin e zjarrfikësve janë përzgjedhur 56 zjarrfikës në nivel vendit, të cilët do të fillojnë trajnimin bazik më 17.03.2025.
Sipas tij, numri i rekrutimit të zjarrfikësve nuk varet nga Agjencia, mirëpo numri aktual i zjarrfikësve në nivel vendi është 739.
Edhe Policia Rajonale e Ferizajit ka apeluar më 10.03.2025 për kujdes maksimal dhe shmangie të djegies së fushave dhe pyjeve në këtë rajon.
Policia ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka angazhuar personel të mjaftueshëm për menaxhimin e rasteve të zjarreve në rajonin e Ferizajit.
Sipas njoftimit, Policia e këtij rajoni po punon “në parandalimin e zjarreve, duke koordinuar aktivitetet me institucionet lokale dhe agjencitë përkatëse”.
Policia njofton se gjatë javës së kaluar janë raportuar disa incidente zjarresh në këtë rajon – duke përfshirë Ferizajin, Kaçanikun, Shtërpcën, Shtimen dhe Hanin e Elezit.
Në anën tjetër, më 09.03.2025, KALLXO.com raportoi se një zjarr kaploi malet e Deçanit. Metaj vlerësoi se ky rast në Deçan ka qenë rasti më serioz dhe për momentin zjarri është nën kontroll.
Ndërsa, sipas kryetarit të Deçanit Bashkim Ramosaj dyshohet se zjarri ishte shkaktuar pa qëllim nga qytetarët, të cilët kanë frekuentuar zonat malore të asaj ane.
“Po besoj faktori është njeriu, pakujdesia. Është dalë dikush me shëtit, kështu po supozojmë edhe ka ba piknik, edhe e ka lënë zjarrin ndezë dhe me siguri është përhapë prej tyre.” – kishte thënë Ramosaj.