Agjencia e Kosovës për Akreditim digjitalizon lëshimin e vërtetimeve

Të gjithë studentët dhe të diplomuarit që kanë nevojë të pajisen me vërtetime për akreditimin e programeve të tyre të studimeve, tani mund t’i nxjerrin ato online, pa pasur nevojë që të shkojnë fizikisht në Agjencinë e Akreditimit.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, i cili tha se me financimin e Ambasadës Amerikane, AKA ka lansuar produktin e ri, lëshimin e vërtetimeve të akreditimeve online.

“Kjo është një arritje e madhe sepse përveç rritjes së sigurisë së lëshimit të dokumentacionit, dhe eliminimin e të gjitha mundësive për gabime njerëzore, kjo platformë rrit edhe besueshmërinë e dokumenteve të lëshuara nga Agjencia e Akreditimit tek partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Gashi.

Sipas tij, çdo vërtetim i nxjerrë në mënyrë elektronike, të gjitha palëve ju mundëson verifikimin elektronik në linkun e veçantë.

“Të gjitha agjencitë homologe të AKA-së në Evropë dhe më gjerë, tani kanë qasje direkte në verifikimin e dokumenteve të lëshuara nga AKA”, tha ai.

Drejtori Gashi po ashtu bëri të ditur se ky shërbim ka kaluar të gjitha standardet e sigurisë kibernetike nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe sipas tij, kjo u ka lehtësuar punën e AKA-së.

“Vetëm gjatë pandemisë, AKA ka lëshuar mbi 4000 vërtetime për programe të akredituara. Në këtë mënyrë ne do të kemi më shumë staf që do të merret me cilësinë në arsimin e lartë, në vend se të merret me lëshimin e vërtetimeve siç ka ndodhur më parë”, tha Gashi në fund për KALLXO.com.

Ky është linku për vërtetime: https://akreditimi.rks-gov.net/gjenero-konfirmim/

Agjencia e Kosovës për Akreditim është autoritet i pavarur, i cili akrediton dhe riakrediton institucionet publike dhe private të arsimit të lartë për një periudhë të kufizuar kohore.