Agjencia e Kosovës për Akreditim binjakëzohet me Agjencinë e Akreditimit të Austrisë

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Agjencia homologe austriake, me mbështetjen e projektit Heras Plus, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) kanë lansuar sot projektin e binjakëzimit.

Sipas një njoftimi për media, ky projekt rrit bashkëpunimin në fushën e arsimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

AKA thotë se projekti i binjakëzimit ka për qëllim marrjen e përvojave austriake nga AKA, përmes vizitave të ndërsjella, konferencave, trajnimeve dhe konsultimeve në fushën e zbatimit të standardeve të ESG.

“Stafi i AKA-së do të vizitojë Agjencinë Austriake të Akreditimit dhe partnerët austriakë do të vijnë për të vizituar Kosovën, ku do të shkëmbejnë përvojat dhe praktikat më të mira të menaxhimit të institucioneve, menaxhimit të procesit, sigurimit të cilësisë dhe mbikëqyrjes së rezultateve. Shkëmbimet do të bëhen në të gjitha nivelet që lidhen me cilësinë në arsimin e lartë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim gjithashtu theksohet se përfituesit kryesorë të këtij projekti do të jenë Agjencia e Akreditimit dhe të gjithë akterët në arsimin e lartë në Kosovë, duke përfshirë universitetet publike dhe kolegjet private.

AKA thotë se përmes implementimit të Standardeve dhe Udhëzimeve Evropiane (ESG) nga Kosova, do të bëhet shumë më i lehtë shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik.

“Me zbatimin e standardeve ESG, krijohen hapësira për të lehtësuar integrimin e sistemit arsimor të Kosovës me BE-në, si dhe krijohen lehtësira për njohjen e diplomave të studentëve kosovarë në vendet e BE-së”, thuhet në njoftim.

Sipas AKA-së, aktivitetet e planifikuara në këtë projekt do të mbështesin AKA-në në avancimin e proceseve si: përzgjedhja dhe emërimi i ekspertëve ndërkombëtarë nga Bordi, si dhe mbështetja e ekspertëve gjatë vlerësimeve në terren; synohet marrja e përvojave austriake në funksionimin e Komisionit të Ankesave, i cili do të rezultojë në hartimin e një modeli dhe procedure që do të sigurojnë objektivitet dhe pavarësi të Komisionit të Ankesave si dhe transparencë dhe llogaridhënie.

“Shkëmbimi i praktikave më të mira të një qasjeje të bazuar në të drejtat e njeriut në institucionet e arsimit të lartë synohet të transferohet nga partneri austriak në partnerin kosovar në lidhje me të gjitha aktivitetet e planifikuar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Akreditim.

Projekti do të fokusohet në këto fusha më specifike:

  • Zbatimi i modelit austriak të proceseve të sigurimit të jashtëm të cilësisë (fokus: akreditimi institucional dhe ai programor);
  • Hartimi i metodologjive (përfshirja e palëve të interesuara – udhëzime, procedura administrative) etj;
  • Përzgjedhja dhe emërimi i ekspertëve;
  • Përgatitja e proceseve të vendimmarrjes;
  • Raportimi i rezultateve (transparencë);
  • Procedurat e ankimit.