
Foto: AKA/ Facebook
Agjencia e Kosovës për Akreditim bëhet anëtare “affiliate” e ENQA-s
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, ka pranuar sot një letër nga drejtoresha e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Anna Gover, me të cilën konfirmohet se është pranuar aplikacioni i Agjencisë së Akreditimit për statusin anëtar “affiliate”.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se në mbledhjen e 20 shtatorit 2022, Bordi i ENQA-s shqyrtoi aplikacionin tuaj për anëtarësim në ENQA dhe vendosi t’i japë AKA statusin e ‘affiliate’ në ENQA” – shkruan në letrën e drejtoreshës së ENQA-s drejtuar drejtorit të AKA-së, Naim Gashi.
Në njoftimin që ka marrë drejtori Gashi thuhet se nga dita e sotme Agjencia e Kosovës për Akreditim mund ta përdorë logon e ENQA-s në të gjitha vendimet dhe komunikimet e saj, brenda territorit të Kosovës por edhe në komunikim ndërkombëtar.
“AKA konsideron se kjo është një e arritur e jashtëzakonshme nga e cila do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti i Kosovës në përgjithësi. Vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane. Po ashtu, ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë” – thuhet në njoftimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Lajmin e ka përshëndetur edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Sipas Nagavcit, kjo është një e arritur e jashtëzakonshme nga e cila do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti i Kosovës në përgjithësi.
“Vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane. Po ashtu, ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë” – ka theksuar ajo.
Sipas saj, Qeveria Kurti hap pas hapi po përmirëson dëmet e shkaktuara nga qeveritë e kaluara.
“Me vullnet, politika cilësore e që mundësojnë pavarësi institucionale, me bashkëpunim profesional, hap pas hapi po përmirësojmë dëmet e shkaktuara nga ndërhyrjet partiake të qeverive të kaluara. Tre vite më parë, për shkak të ndërhyrjeve politike të qeverisë PAN, Kosova ishte përjashtuar nga ENQA, tani tri vite pas po ecim para edhe në këtë drejtim”, ka theksuar ajo.
Në vitin 2018, Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga EQAR, për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj Agjencie që ishte bërë me kërkesë të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Kjo organizatë kishte konsideruar se AKA ka humbur mundësinë të veprojë si e pavarur pas asaj ndërhyrjeje politike.
Pas kësaj, më 19 prill të vitit 2018, Agjencisë së Kosovës për Akreditim i ishte degraduar statusi brenda ENQA-s nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.
Por, më 2 tetor të vitit 2019, ENQA përfundimisht e përjashtoi AKA-në.
Arsyet pse ndodhi kjo përfshijnë mungesën e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e Agjencisë si dhe mungesën e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA.
ENQA kishte dhënë disa rekomandime për Agjencinë e Akreditimit që përfshijnë metodologjinë e veprimit, përfshirjen e studentëve dhe pavarësinë e veprimit.