‘Agimi’ mbushi 75 vjet

Shoqëria kulturo- artistike “Agimi” e Prizrenit ka shënuar 75 vjetorin e saj me një koncert solemn të mbajtur dje në mbrëmje në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren

Koncerti është përcjellë edhe me koreodramën “Agimi i agimtarëve”, përmes së cilës janë pasqyruar 75 vjet të shoqërisë “Agimi” në jetën kulturore të Prizrenit.

Organizimi i aktiviteteve për shënimin e 75 vjetorit të themelimit të “Agimit” ishte planifikuar të mbahet më 26 dhe 27 nëntor 2019, por për shkak të tërmetit të 26 nëntorit që ndodhi në Durrës, ishte shtyrë për ditën e djeshme, 2 dhjetor 2019.

Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” është themeluar në nëntor 1944, duke vënë kështu fillimin e themeleve të lulëzimit të aktiviteteve kulturore-artistike në Prizren.

“Agimi” gjatë 75 vjetëve të saj ka mbajtur një sërë aktivitetesh kulturore edhe në vendet të ndryshëm, si në: Turqi, Itali, Gjermani, e vende afrikane.