Agim Veliu. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agim Veliu: Unë e kam nënshkruar vendimin për reciprocitetin me targat

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka thënë se vendimi i Qeverisë për reciprocitet me targa të automjeteve që vijnë nga Serbia, ka qenë vendim i tij.

“Vendimi i sotëm i MPB për vendosje të reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve është zbatim i vendimit, të cilin në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme e kam nënshkruar më  17.09.2020, për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ Nr.02/2018 për Regjistrimin e Automjeteve me Targa KS”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Tutje, ai theksoi se vendimi i sotëm vjen si rezultat i Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 14 shtator 2016, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me lëvizjen e lirë.

“Krahas implementimit të vendimeve të marra nga Qeveria e kaluar, lajm i mirë është se Qeveria aktuale po i njeh marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në kohën e Qeverisë Hoti. Detyrë dhe obligim parësor i të gjithë neve është ruajtja e subjektivitetit shtetëror dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai më tej.

Qeveria e Kosovës ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e automjeteve. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa. Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Reagim në lidhje me këtë çështje ka pasur sot nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve.