Agim Veliu - FOTO KALLXO

Agim Veliu tregon pse e shkarkoi Albin Kurti

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka komentuar shkarkimin e tij nga ish-kryeministrit Albin Kurti pas një deklarate të dhënë në ditët e para kur Kosova shënoi disa raste me COVID-19.

Në atë kohë, Veliu kishte thënë se duhej të shpallej gjendja e jashtëzakonshme ndërsa pas këtyre deklaratave i njëjti ishte shkarkuar nga Kurti, pasi që ky i fundit e kishte quajtur “tradhti” një deklaratë të tillë.

“Gjatë tërë kësaj kohe sa ishte ministër, ish- ministri vetëm një mbledhje e ka mbajtur lidhur me parandalimin e përhapjes së virusit corona. Vetëm një mbledhje në ministri. Tradhtia e tij e dyfishtë ndaj qeverisë ku është anëtar, ku ishte anëtar dhe ndaj policisë në krye të së cilës u vu nuk mund të tolerohet”, ishte në atë kohë deklarata e Kurtit për shkarkimin e Veliut.

Këto deklarata Veliu i komentoi  në Debat Plus në RTV Dukagjini deri sa tha se nuk kanë qenë të vërteta ato që i kishte përmendur Kurti.

“Albin Kurti si kryeministër i Kosovës ka pasur mundësi me ngrit padi kundër meje për tradhti mirëpo Albin Kurti ato ditë nuk e dinte as çka fliste sepse po fliste gjëra të pavërteta. Nuk është e vërtetë që unë kam mbajtur vetëm një mbledhje. Unë kam mbajtur mbledhje të vazhdueshme edhe në ministri kam bërë takime edhe me Policinë e Kosovës dhe ato janë tërësisht të pavërteta”, tha Veliu.

Madje gjatë debatit u transmetua edhe një incizim me zë ku dëgjohej Veliu duke thënë se kishte sinjale që koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje nuk do të zgjaste më shumë se një vit.

“Deklarata ime nuk ka lidhje me shkarkimin. Atë mund ta dijë edhe Albin Kurti. Edhe për opinionin është e ditur se Albin Kurti ato ditë nuk ishte në gjendje që të merrej me punët e Kosovës të cilat një kryeministër i Kosovës duhet të merrej. Nuk ishte i gatshëm të merrte obligime edhe në raport me miqtë tanë me faktorin ndërkombëtar, nuk kishte gatishmëri që as të ulej në tavolinën e bisedimeve”, tha Veliu tutje derisa në studio u përball edhe me një pyetje nga analisti Visar Ymeri.

“I paraqite dy situata, të dyja me një lloj urgjence në të njëjtën kohë. Në njërën anë ju thatë që gjendjen e jashtëzakonshme e keni menduar që është me shpall për shkak të pandemisë dhe tani po thoni që në të njëjtën kohë gjatë kohës së pandemisë kur është dashtë gjendje e jashtëzakonshme po e akuzoni Kurtin se nuk është ulur në tavolinën e bisedimeve. Këto dyja nuk po shkojnë bashkë”, pyeti Ymeri – Veliun.

Ky i fundit shtoi se asnjëherë nuk ka bërë veprime kundër qeverisë dhe kundër ish- kryeministrit Kurti.

“Në asnjë rast nuk më ka ftuar mua kryeministri që të më jap një detyrë ose të më bëj ndonjë angazhim ose të kërkoj llogari nga unë pse s’është kryer nga ana ime. Këtu nuk ka të bëj asgjë me asnjë veprim që kam dëmtuar qeverinë apo qeverisjen. Unë kam qenë në vazhdimësi kundër lidhjes së një koalicioni mes LDK-së dhe LVV-së sepse e kam ditë që ai koalicion nuk funksionon dhe gjithmonë  kam qenë kundër mirëpo vendimet në LDK merren në forumet e saj dhe ka qenë vendim i LDK që të bëjmë koalicion paszgjedhor me LVV meqë vendimi parazgjedhor dështoi. Ne kemi premtuar në fushatë dhe kemi punuar në fushatë që LDK t’i fitojë zgjedhjet e jo për koalicion”, tha ai.

Më 18 mars të vitit të kaluar ish- kryeministri Albin Kurti kishte marrë vendim për të shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun.

Në njoftimin e Qeverisë, ish- kryeministri kishte deklaruar se një nga arsyet se pse është shkarkuar Veliu ka qenë fakti se ka përhapur panik duke thënë se “numri i të prekurve[me coronavirus] po rritet prej ore në orë”.

“Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”, thuhej në komunikatën e Qeverisë në atë kohë.

Veliu në një deklaratë të shkurtë për KALLXO.com, vendimin e Albin Kurtit e kishte quajtur tinëzar, derisa kryetari i LDK-së i kishte kërkuar Kurtit që të anulojë vendimin ose do të prishej koalicioni.