Agim Veliu: Situata në Karaçevë është e qetë

Kuvendi i Kosovës ka nisur vazhdimin e seancës, ku në interpelancë është thirrur ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Veliu gjatë fjalës së tij shpjeguese ka thënë se është konfirmuar që më datë shtatë gusht në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ka pasur lëvizje të forcave serbe por që të njëjtat janë bërë në bashkëpunim me KFOR.

“Bazuar në takimet e mia personale dhe raportet e institucioneve të sigluara të KFOR dhe dëshmitarëvë, është vërtetuar se me datë 7 gusht rreth orës 17:00 janë vërejtur lëvizje të forcave serbe në fshatin Karaçevë të Kamenicës. Në takimet e 8 dhe 10 gushtit, gjenerali Riss i KFOR-it më ka siguruar që ai ishte vetëm një patrullim i përbashkëta së bashku më forcat serbe”

Ai ka shtuar se në takimet me KFOR kanë kërkuar që të ketë patrullime të shtuara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

“Në takimet tona me forcat  e KFOR kemi kërkuar që të shtohen paturllimet tona me PK-në, pasi që ato janë rralluar. KFOR na ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak se Policia ka kërkuar pavarësi të plotë dhe se kanë thënë nuk kanë nevojë për KFOR”, ka thënë Veliu.

Veliu ka theksuar se situata në Karaçevë është e qetë por që duhet të mbahet nën kontrollë.