Agim Veliu: Po i presim hapat e Vetëvendosjes

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth lidhjes së koalicionit në mes partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Veliu ka thënë se janë duke e pritur partinë e Albin Kurtit që t’i bëjë hapat për të formuar institucionet e reja të vendit.

“Vetëvendosje duhet me i marrë përgjegjësitë që i ka, ajo e ka përgjegjësinë me i themelu institucionet, me bë hapa, me bë veprime sepse ka dal partia e parë. Lidhja Demokratike i ka humbur zgjedhjet, nuk është parti e parë, është parti e dytë dhe duke qenë në këtë situatë, jemi të detyruar, të gjithë bashkë, t’i presim veprimet e Vetëvendosjes, t’i presim hapat e Vetëvendosjes sepse ajo është përgjegjëse për themelim të institucioneve”, ka thënë ai për RTV21.

Zërat se marrëveshja në mes LVV-së dhe LDK-së është afër, Veliu i ka hedhur poshtë.

“Nuk kisha thënë që jemi afër marrëveshjes”, ka deklaruar ai.

Sot gjatë ditës, dy partitë nuk kanë zhvilluar ndonjë takim. Ndërsa, në tri takime të njëpasnjëshme, Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.