Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu | Foto: KALLXO.com

Agim Veliu: Përpjekjet e Vetëvendosjes janë për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar LDK-në

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar ndaj ofertës që Lëvizja Vetëvendosje tha se i ka bërë së fundmi LDK-së në përpjekje për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Sipas Agim Veliut, veprimet e Vetëvendosjes të ditëve të fundit nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisur mbi bazën e fuqisë së votës.

“E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin”, ka shkruar Veliu në profilin e tij në Facebook.

Ai, madje, akuzon LVV-në se me kërkesat e saj po synon që LDK-në ta shkëpusë nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike.

“Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh”, ka theksuar i pari i Podujevës.