Agim Veliu për Vjosa Osmanin: Na tradhtoi, nuk ka kuptim që të qëndrojë në LDK
Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, e ka quajtur tradhti thirrjen e Vjosa Osmanit për deputetët që të mos e votojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Veliu në një debat në T7 tha se nuk ka kuptim më që ajo të qëndrojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Qëndrimi i Vjosa Osmanit nuk është diçka e re në LDK. Ajo ka vepruar edhe më parë kështu, ka votuar edhe kundër kryeministrit të saj. Të jesh zyrtare e një subjekti si LDK dhe të punojë në një parti tjetër, nuk është tjetër përveçse tradhti kundër interesave të subjektit të saj. Nëse vazhdon përditë të bëjë thirrje kundër vendimeve të LDK-së dhe punon me të tjerët kundër neve, nuk e ka asnjë kuptim që ajo të qëndrojë në LDK”, tha Veliu.
Nënkryetarja e LDK-së dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos votojnë rrëzimin e Qeverisë përmes mocionit të iniciuar nga partia e saj.
LDK ka iniciuar mocion të mosbesimit pasi që kryeministri Albin Kurti e ka shkarkuar Agim Veliun.
Vjosa Osmani i fton deputetët të mos e votojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë