Agim Veliu, Foto: Atdhe Mulla

Agim Veliu për KALLXO.com: Vendimi i Kurtit tinëzar

Pak minuta pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, ky i fundit në një bisedë telefonike për KALLXO.com e ka konsideruar tinëzar vendimin.

“Qëndrimi im është që ky vendim është i papranueshëm, totalisht i pa arsyeshëm. Është një vendim tinëzar që është marrë pa njoftim pa kurrfarë bisede, është vendim që në pamundësi të marrjes së vendimeve të tjera të duhura për Kosovën, ky merr vendime të tjera të paarsyeshme. Është çmenduri e veprimit të tij politik dhe institucional”, tha Veliu në një përgjigje për KALLXO.com.

Tutje Veliu shtoi se masat të cilat do t’i ndërmarrë Lidhja Demokratike e Kosovës do të shihen ditëve të ardhshme.

“Masat që do t’i merr LDK do t’i mësoni ditët në vijim sepse këto nuk janë çështje individi por çështje të një partneri të koalicionit që kanë një marrëveshje në bazë të cilës marrëveshje nuk mund të bëhet asnjë shkarkim i asnjë ministri pa konsultim paraprak dhe miratim të kryetarit të pjesës së tjetër të koalicionit”, tha Veliu tutje.

Në fund Veliu foli edhe mundësinë e tërheqjes nga koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Unë thash që kjo është çështje e LDK-së, ajo duhet të mbledh organet e saj dhe të vendosë. Nëse mendoj që dëshiron me mbet në koalicion pastaj unë i shyqrtoj poziticionet e mia, nëse mendon me vazhdu në një koalicion që asnjë të mirë vendit nuk ja sjellë të shohim”, tha Veliu.

Kryeministri Albin Kurti para disa minutave ka njoftuar se ka shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu.

Sipas njoftimit, shkarkimi është bërë për shkak se ministri mbrëmë u deklarua kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri gjithashtu tha se ky ministër ka përhapur panik  duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

Albin Kurti shkarkon Agim Veliun

.