Agim Veliu. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agim Veliu për deklaratën ndaj Vjosa Osmanit: Mund të kërkoj falje

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Agim Veliu, ka thënë se deklarata e djeshme e tij, ndaj Vjosa Osmanit se është “e madhe” dhe i duhet hapësirë për të qëndruar në LDK, është keqkuptuar dhe se nuk e ka pasur qëllim që me atë deklaratë ta fyejë.

Veliu në emisionin Debat Plus tha se mund të kërkojë falje nëse dikush është ndier keq me atë deklaratë.

“Qëllimi i deklarimit tim nuk ka qenë që ta fyejë atë sikurse është keqkuptuar deklarata ime por unë kam thanë që nuk e kam ditë që është aq sa t’i lirojë vendin një kryesi e një subjekti politik… Nuk ka qenë me qëllim që ta fyej”, tha Veliu në Debat Plus.

Veliu tha se është ndier keq që është keqkuptuar deklarata e tij.

“Vërtet nuk e kam menduar në atë kuptim. E kam thënë atë që e kam thënë dhe nëse dikush është ndier keq me atë deklarim sigurisht që mund edhe të kërkoj falje sepse është hera e parë që më del diçka e tillë në opinion. Nuk e kam fy askënd në asnjë bazë”, tha Veliu.

Dje edhe Forumi i Gruas në LDK, për KALLXO.com ka thënë se dënon çdo gjuhë fyese, pavarësisht se nga kush përdoret.

Qëndrimi i Forumit ë Gruas së LDK-së për gjuhën ‘fyese’ të Agim Veliut ndaj Vjosa Osmanit