Agim Veliu, Foto: Atdhe Mulla

Agim Veliu: LDK nuk ka një emër për President

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës njëherit edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje nuk i takon posti i Presidentit dhe ai i Kryeministrit.

Ai ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit determinon ndarjen e dy posteve më të larta shtetërore ndërmjet LDK-së dhe LVV-së.

“Nuk po bisedohet për lëshurje pe, por është një kërkesë e LDK sepse ne mendojmë që ai pozicion (presidentit), në këtë raport të forcave politike i takon LDK-së sepse edhe presidenti edhe kryeministri t’i takojë një subjekti politik në këtë raport forcave, është e tepërt”, tha Veliu pas homazheve te ish-presidenti, Ibrahim Rugova në 30 vjetorin e themelimit të LDK-së.

I pyetur se a e ka kërkuar partia e Albin Kurtit edhe postin e Presidentit edhe të Kryeministrit, ai nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.

Gjithashtu, Veliu tha se partia që udhëhiqet nga Isa Mustafa sot nuk ka ndonjë emër të veçantë për të parin e shtetit.

“Ne jemi duke biseduar që ta gjejmë një zgjidhje, mirëpo ne mendojmë që në këtë raport forcave LDK duhet ta ketë të drejtën për propozimin e Presidentit”, thotë nënkryetari i LDK-së.

“LDK nuk ka sot një emër për President, kur të vijë koha do ta bëjmë publik edhe emrin”, deklaroi tutje ai.

Ndërsa, ai tha se nuk e di nëse sot do të ketë takime ndërmjet Isa Mustafës e Albin Kurtit për koalicionin e mundshëm qeverisës.

“Nuk do di a do të ketë takim sot sepse ne sot jemi të angazhuar me aktivitete rreth shënimit të 30 vjetorit, por kurdo që Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ka hapësirë ende për t’u takuar, ne jemi të gatshëm të takohemi e të bisedojmë”, tha Veliu.

Ndërkaq, në 30 vjetorin e themelimit të LDK-së, ai tha se kjo parti po punon në shtet ndërtimin e Kosovës.

“Sot u bënë 30 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila menjëherë u bë artikuluese e kërkesave politike  të shqiptarëve të Kosovës. U bë edhe nismëtare e proceseve pluraliste në këtë pjesë të Evropës. Është partia e parë e themeluar antikomuniste në Kosovë dhe në regjion edhe sot, LDK po punon në shtet ndërtimin e Kosovës”, deklaroi Agim Veliu.