Agim Veliu: LDK-ja të garojë e vetme në zgjedhje

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Agim Veliu, para fillimit të mbledhjes së kryesisë së partisë, ka folur para gazetarëve për mungesën e tij në mbledhjen e kaluar dhe për koalicionet e mundshme të Lidhjes Demokratike.

Veliu para gazetarëve ka thënë se ai personalisht preferon që LDK-ja të shkojë e vetme në zgjedhje.

“Unë personalisht jam që Lidhja Demokratike të garojë e vetme në zgjedhje, të matet me subjektet e tjera politike, ta shohim fuqinë e Lidhjes Demokratike dhe pas zgjedhjeve t’i lexojmë rezultatet dhe të vendosim”, ka thënë Veliu.

Ndërsa kur është pyetur se pse ka munguar në mbledhjen e kaluar, ai ka thënë se është e drejtë e tij që të mungojë ndonjëherë në mbledhje.

“Kam të drejtë edhe unë ndonjëherë të mungoj në mbledhjet e kryesisë, që 20 vjet. Është e drejtë e imja të mungojë ndonjëherë. Sot do të diskutohet në bazë të rendit të ditës që është përcaktuar nga kryetari, sigurisht që do të diskutojmë dhe shumë shpejt LDK-ja do ta ketë vendimin”, ka thënë Veliu.

Sot Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të caktojë mandatarin për kryeministër nga kjo parti, si dhe pritet të vendoset për koalicionin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Mua dhe zonjën Osmani na bashkon LDK. Do të diskutojmë për zonjën Osmani”, tha Veliu kur u pyet për kandidaturën eventuale të Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës nga LDK.