Agim Veliu emëroi Zafir Berishën koordinator nacional për siguri kibernetike

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka emëruar gjatë ditës së sotme në cilësinë e koordinatorëve nacionalë, zëvendës ministrat e MPB-së.

Sipas njoftimit, për detyrat dhe përgjegjësitë e Koordinatorit Nacional kundër krimit të organizuar, Koordinatorit Nacional për parandalimin e krimit dhe Koordinatorit Nacional për kontrollin e armëve të vogla, të lehta dhe eksplozivëve është autorizuar zëvendësministri i MPB-së, Agron Bacaj.

Veliu gjatë ditës së sotme ka emëruar zëvendësministrin Zafir Berishën të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë Koordinatorit Nacional për siguri kibernetike dhe të Koordinatorit Nacional për menaxhimin e emergjencave, ndërsa zëvendësministri Milan Radojevic është emëruar Koordinator Nacional kundër narkotikëve, Koordinator Nacional për siguri në bashkësi dhe Koordinator Nacional kundër trafikimit me njerëz.

MPB ka bërë të ditur se zëvendësministri Yildiray Bajram është autorizuar që të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë e Koordinatorit Nacional për menaxhim të integruar të kufirit dhe Koordinatorit Nacional për ri-integrim dhe riatdhesim të personave si dhe të Koordinatorit Nacional për migrim.