Agim Veliu e quan "nxitje të vëllavrasjes" diskursin e Bulliqit

 Ministri i Punëve të Brendshme e ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, e ka quajtur diskurs të nxitjes së vëllavrasjes një fjalim të kandidatit për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqit.

“Bëfsh hajr Shpejtim, që i paske heqë plumbat dhe e paske rrokë bishtin e sakicës”, ka shkruar Veliu.

Veliu ka thënë se fton qytetarët e Podujevës që masovikisht të ndëshkojnë me votë kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Komunës.

“Është skandaloze që një bashkëvendas i imi, i Enverit e Xhemës, në prani të një ish-Kryeministri, përdorë diskurs të nxitjes së vëllavrasjes. Neve, nuk na ndalën as plumbat, e nuk do të na ndalin as bishtat!”, ka shkruar Agim Verliu në Facebook.

Shpejtim Bulliqi sipas një videoje të siguruar nga Klan Kosova, ku gjendet përkrah ish-kryeministrit Albin Kurti, në një konak në Llap, thotë se qytetarët duhet të bëjnë ankesa, por duhet edhe veprime kur vijnë zgjedhjet.

“E kur i bëjnë veprimet qytetarët? Kur mbahen zgjedhjet. Ndonjë kujt që punon mbrapsht edhe ndonjë bishtë sakice mbas shpinës me ia dhënë ndonjëherë bën…”, ka thënë Bulliqi.

Zgjedhjet në Podujevë mbahen të dielën (më 29 nëntor) pasi që ish-kryetari, Agim Veliu (LDK), ishte emëruar ministër në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.