Agim Veliu e quan Gazmend Muhaxherin 'Kali i Trojës'

Ish-nënkryetari i LDK-së dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, tani deputet i LDK-së, Agim Veliu i ka reaguar bashkëpartiakut të tij, kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Muhaxheri në një intervistë të mbrëmshme në mes tjerash kishte akuzuar Veliun se ishte “imponuar në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme duke e çuar Podujevën në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar komune”.

Sipas Muhaxherit, në mes tjerash kjo kishte ndikuar në rënien e LDK-së në zgjedhjet e fundit.

Veliu, që pas zgjedhjes së Abdixhikut në krye të LDK-së, mbeti pa post të lartë në LDK, duke mos qenë as pjesë e kryesisë së partisë, i ka reaguar deklaratave të djeshme të Muhaxherit, duke e quajtur këtë të fundit si “Kali i Trojës”.

“Kali i Trojës” është një analogji që përdoret nga vepra e Homerit “Iliada dhe Odiseu” për mënyrën se si ishte thyer Troja.

Grekët kishin thyer Trojën, duke i dhuruar një kali të drurit, në të cilin kishin qenë të fshehur ushtarët grekë, të cilët pastaj kishin thyer portën.

Njëjtë, Veliu e ka quajtur edhe Muhaxherin si “Kali i Trojës në LDK”. Muhaxheri para se të bëhej pjesë e LDK-së, kishte qenë pjesë e partisë ORA që ishte udhëhequr nga Veton Surroi.

Veliu e ka akuzuar Muhaxherin se nuk ka dhënë mesazhe uniteti për LDK-në.

Sipas Veliut, Muhaxheri po tenton ta fajësoj LDK-në në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit të ri, që nënkupton shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.