Isa Mustafa - Foto: Atdhe MULLA

Agim Veliu e quan fëmijërore deklaratën e Vjosa Osmanit se ishte manipuluar nga LDK

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu e ka quajtur fëmijërore dhe qesharake deklaratën e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, se ka qenë e manipuluar nga LDK për mendimet lidhur me Albin Kurtin.

Veliu ne emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini tha se në asnjë rast nuk janë thurur konstruksione të tilla në kryesi të LDK-së, por që kanë diskutuar për dallimet që i kanë me LVV-në.

“Në asnjë rast, po ju them me saktësi të plotë që në kryesinë tonë nuk thuren konstruksione për askënd, aty diskutohet hapur. Aty ka mendime, sepse një subjekt politik nëse ka konsensus ka, nëse jo i nënshtrohet votimit. Ne i kemi diskutuar dallimet e mëdha që kemi me LVV-në, dhe ka qenë një numer në kryesi që kanë konsideruar se është e vështirë të qeveriset me ta. Ajo që deklaroi Osmani është fëmijërore dhe qesharake,” ka thënë Veliu.