Agim Veliu dy herë radhazi nuk paraqitet në Kuvend për interpelancë, reagon opozita

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu as në seancën e sotme të Kuvendit nuk po merr pjesë për interpelancë.

Në rend dite është interpelanca e ministrit Veliu, sipas  kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku nga LVV-ja, mbështetur edhe nga 5 deputetë të tjerë, në lidhje me shmangien për të raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ndërkaq, deputetja Kollçaku e ka quajtur të papërgjegjshëm ministrin Veliu.

“Propozoj që ky Kuvend të kërkojë nga MPB-ja që brenda 2 javësh të dërgojë raport me shkrim për zhvillimet në polici dhe kuvendi të kërkojë nga MPB-ja që të përmbushë përgjegjësisë kushtetuese të raportojë në Komision për çështje të sigurisë”, tha ajo.

Për këtë fjalim reagi shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.

“Këtu ka një interpelancë pamë një fjalim. Nuk mundet me fol dikush 12 minuta e me than s’ka filluar. Zyrtarisht interpelanca ka filluar”, tha ai,

Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci tha se për herëtë dytë ministri nuk po paraqitet për interpelancë.

“Në interpelancë thirren anëtarët e qeverisë, ministrat apo kryeministri për tu përgjigjur, ne sot nuk kemi ministrin për herë të dytë”, theksoi ajo.

Sërish fjalën e kërkoi Arben Gashi nga LDK-ja.

“Folni nëse doni ose jo për këtë çështje. A vjen ministri a s’vjen është punë për të. Nëse nuk jen ka mekanizma tjerë mundeni me nis mocion mosbesimi ndaj ministrit”, tha ai.