Agim Veliu. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agim Veliu: Aktualisht nuk ka indikacion për sulm terrorist në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka thënë se aktualisht nuk ka indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë.

Veliu përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se Kosova nuk mund të jetë imune sikurse nuk janë edhe shtetet më të zhvilluar në rajon e më gjerë.

“Institucionet e vendit janë të gatshme që varësisht nga situata të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së vendit”, ka shkruar Veliu.

Ndër të tjera, ai ka treguar se sot gjatë një takimi me ushtruesin e detyrës të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që të ngrisin nivelin e sigurisë.

“Nga Policia e Kosovës dhe Institucionet tjera të sigurisë, kërkova që të bëhen vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e sigurisë, kërcënimit nga çfarëdo aktiviteti kriminal, duke përfshirë edhe kërcënimin nga terrorizmi, si dhe konform nevojës dhe vlerësimeve të ngriten masat e sigurisë” ka shkruar Veliu.

Mbrëmjen e së hënës në Vjenë të Austrisë persona të armatosur hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme, sulm prej të cilit mbetën të vrarë katër persona, u plagosën  edhe 17 të tjerë, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Mediat lokale në Maqedoninë e Veriut shkruajnë se njëri nga viktimat e sulmit terrorist mbrëmë në Vjenë të Austrisë është një shqiptar me origjinë nga fshati Veleshtë e Strugës.

Ndërkohë, Policia e Maqedonisë së Veriut ka bërë  ditur se autoritetet policore austriake përmes EUROPOL-it, kanë kërkuar informacion dhe bashkëpunim lidhur me njëri prej të dyshuarve, Kujtim Fejzullai.

Sipas tyre, Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar pranë MBP-së në Shkup, është përgjigjur menjëherë pozitivisht.

Ndërsa, autoritetet në Shkup thonë se nuk kanë ndonjë dosje mbi aktivitetin e Kujtim Fejzullait.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se përveç Kujtim Fejzullait, edhe dy persona të tjerë, shtetas maqedonas, kanë qenë të përfshirë në sulmet e ditës së hënë në Vjenë.