Agim Maliqi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Agim Maliqi: Gjykatat përballen vazhdimisht me ndryshim të deklaratave nga ana e palëve

Gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi, thotë se gjykatat e nivelit të parë vazhdimisht përballen me ndryshim të deklarimeve nga ana e palëve.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se Kodi i procedurës penale ka aspekte strikte si duhet të veprohet në këso raste.

“Më këto raste gjykatat e nivelit të parë preokupohen në vazhdimësi, mund të jetë një viktimë që fillimisht e jep një deklaratë pastaj e ndryshon. Kodi i procedurës penale ka aspekte strike si të veprohet. Prokurori i shtetit ka në dispozicion që në momentin kur dëshiron të dëgjojë viktimën ta thërrasë edhe palën tjetër me qëllim që ata të kundërshtojnë deklarimin e  më pas të përdoret si provë në procedurë penale”, ka thënë ai.

Sipas tij, ekziston edhe mundësia e hetimit të posaçëm që të mos ndërrohet deklarimi.

“Ekziston edhe mundësia e hetimit të posaçëm me qëllim që të mos ndërrohet deklarimi. Gjykata më pas ka problem të besojë në deklarata, prandaj gjatë hetimeve duhet të jenë të kujdesshëm dhe më pas gjykata të mbështet në dëshminë e parë”, shtoi ai.

 

Ngecjet e gjyqësorit në trajtimin e krimeve seksuale