Agim Çeku FOTO-KALLXO.com

Agim Çeku flet për vendimin e Gjykatës që e liroi nga akuza për fryrjen e listave të veteranëve

Ish- kryeministri i Kosovës Agim Çeku ka dhënë një prononcim para medieve, pas vendimit të gjykatës që e liroi atë nga akuza për keqpërdorim të detyrës, përkatësisht mundësimin e pensioneve për veteranë të rrejshëm. Ai së bashku me 11 të tjerë akuzoheshin si pjesëtarë të komisionit për verifikimin e aplikuesve për pension të veteranit të luftës.

Ai e ka quajtur aktgjykimin e drejtë dhe të pritur.

“Për mu dhe anëtarët tjerë të komisionit për verifikimin e veteranëve është një aktgjykim i drejtë, i pritur.  Gjatë tërë kohës që nga fillimi e kam ndier veten të pafajshëm, absolutisht të pafajshëm dhe këtë e dëshmuam gjatë këtij procesi. Ndihem mirë se u vërtetuan gjitha ato që i kam thëne edhe para fillimit të procesit edhe gjatë procesit”, shtoi Çeku.

Në anën tjetër i akuzuari tjetër në këtë rast, ish-deputeti Shkumbin Demalilaj, së pari falënderoi avokati e tij mbrojtës duke shtuar se pafajësia e tij ka qenë e dëshmuar nga vet ai.

“Unë sot me pafajësinë tim që e bëri gjykata e falënderoj fillimisht  avokatin tim mbrojtës zotin Kocin që ka qenë pranë meje gjatë kësaj periudhe. Po njëkohësisht pafajësia ime ka qenë e dëshmuar nga vet unë për shkak se unë i njoh procedurat ligjore, jam tri legjislatura deputet i Kuvendit dhe fillimisht prej fillimit ju kam tregu medieve dhe gjithë qytetareve se unë nuk bëj shkelje të ligjit”, tha Demalilaj.

Më pas Shkumbin Demaliaj pafajësinë tha se ua dedikon  gjithë bashkëluftëtarëve.

“Por këtë pafajësinë time ua dedikoj gjithë bashkëluftëtareve të mi që kanë qenë pjesë e këtyre listave që prokuroria po edhe shumë fatkeqësisht mediume, po e thamë këta pa njohur mirë procesin, pa njohur mirë legjislacionin kemi qenë të kryqëzuara por këtë ua dedikojë gjithë bashkëluftëtareve  të mirë gjithë atyre që emrat e tyre janë dal në këto lista  dhe të dhënat e tyre personale janë shëtit gjithë andej nëpër medium  edhe nëpër rrjete mediale të ndryshme”, shtoi Demalilaj.

Kujtojmë  se Gjykata e Prishtinës sot ka shpallur vendimin në rastin e njohur si “Veteranët”, duke i liruar nga akuza  12 persona të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të akuzuar në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88,769,217.04 euro.