Foto: Kallxo.com

VIDEO - Agim Bahtiri tregon arsyen e aderimit në VV

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, që sot ndërroi partinë nga AKR në VV ka treguar arsyen se pse iu bashkua subjektit të Albin Kurtit.

Këtë e ka bërë gjatë ceremonisë së aderimit të mbajtur në Qendrën e Kulturës Rexhep Mitrovica në këtë qytet.

Bahtiri ka thënë se nuk e kishte pasur asnjëherë përkrahjen e qeverisë dhe të asnjë partie tjetër për të mbrojtur Mitrovicën, duke përfshirë këtu edhe AKR-në, në të cilën deri sot ka qenë nënkryetar.

“Nuk mund të mos e them një gjë që më ka brengosur tërë jetën, prej ardhjes time në pushtet në vitin 2013 asnjeherë nuk kam pasur përkrahjen e qendrës për të mbrojtur një pëllëmbë të kësaj Mitrovice në të cilën janë pasuruar shumë njererëz, kanë studiuar shumë njerëz, janë shkolluar dhe arsimuar me djersën e minatorëve të Trepçës së Mitrovicës e cila ka qenë shembull dhe një gjigant i madh i ekonomisë së Kosovës. Dhe kjo është për të ardhur keq prej qeverisë së Kosovës duke përfshirë partinë në të cilën kam qënë nënkryetar. Kjo më ka shtyrë që një herë e përgjithmonë t’i bashkangitem këtij subjekti politik“, tha Bahtiri.

Ai ka shpejguar se si është njohur me Albin Kurtin duke shprehur falenderim dhe mirënjohje për, siç ka thënë ai, ndihmën që ia ka ofruar kryetari i VV-së.

“Unë e njoha Albin Kurtin prej se largu, por ai me njoftoi mua nga afër dhe me doli në mbështetje duke më takuar mua në atë kohë shumë të shkurtër që kishte mes të seancave për të më ndihmuar dhe për të më orientuar në rrugën e drejtë që mos të gaboj në hapa pa dije. Unë e falënderoj publikisht dhe prej atëherë e dua me zemër dhe shpirt“, ka thënë në fund të fjalës së tij Bahtiri.