Agim Bahtiri thotë se vizita e Kurtit dhe Osmanit shkoi sipas planifikimeve

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i cili është edhe anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se vizita e sotme e kandidatit për kryeministër, Albin Kurti dhe u.d. presidentes, Vjosa Osmani, ka shkuar sipas planifikimeve.

Ai ka përmendur edhe incidentin në Mitrovicën Veriore duke thënë që “strukturave kriminale serbe atje, nuk iu shkoj për shtati kjo vizitë”.

Ky është postimi i plotë i tij në Facebook:

Sot, së bashku me Kryeministrin në ardhje, Albin Kurti, Presidenten në ardhje, Vjosa Osmani, Nënkryetari e komunës, Faruk Mujka dhe kandidatët për deputetë të listës së referendumit të 14 shKURTIT, vizituam ndërmarrjen “Trepça” dhe bashkëbiseduam me minatorët, ku u zotuam se Qeveria Kurti këtij gjiganti ekonomik do t’ia kthej namin e dikurshëm.

Më pas u takuam me biznesmenët mitrovicas, për të vazhduar më pas ecjen nëpër Urën e lumit Ibër, ku u ndalëm në vendin ku ishte e ndërtuar Xhamia e Ibrit. Vizitën e vazhduam në lagjen Kodra e Minatorëve, ku u mirëpritëm nga banorët e kësaj lagje, duke përfunduar me sukses të plotë tubimin. Natyrisht që strukturave kriminale serbe atje, nuk iu shkoj për shtati kjo vizitë, por që përveç disa brohorimave nga distanca nuk arritën të bëjnë diçka më shumë.

Me Kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani vizitat i vazhduam tek liqeni artificial, për t’i përfunduar me një tubim madhështor në lagjen Iliria, nga ku morëm mbështetjen të madhe që e ka marrë një parti në Kosovën e pasluftës. E kuptueshme, se kjo mbështetje mbarë popullore nuk iu ka pëlqyer atyre që e terrorizuan qytetin deri në ardhjen time si kryetar komune, me ç’rast disa mbetje të tyre përmes një individi tentuan t’ia humbin madhështinë tubimit, por që këtë nuk e arritën e as nuk do ta arritin asnjëherë në Mitrovicë sa të jem unë kryetar komune.

Pra, të gjitha tubimet përfunduan me sukses të plotë.

#KrejtdheDrejt me Albin Kurtin Kryeministër