Agim Bahtiri suspendon nga puna mësimdhënësin e dyshuar për therjen e gruas me thikë

Komuna e Mitrovicës ka suspenduar nga puna mësimdhënësin F.R nga Skenderaj që dyshohet së sulmoi me thikë bashkëshorten e tij, të mërkurën.

Sipas njoftimit të kësaj komune, kryetari Agim Bahtiri e ka vlerësuar si një akt shumë të ulët dhe jo njerëzor.

“Pas marrjes së njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës lidhur me rastin e sulmit të mësimdhënësit (F.R.) ndaj bashkëshortes së tij (Q.R.) njëkohësisht të dy mësimdhënës në Komunën e Mitrovicës, Kryetari Agim Bahtiri, në koordinim me drejtorin e DKA-së, Egzon Jashari, kanë marrë vendim për suspendim nga marrëdhënia e punës të të dyshuarit (F.R.) për aktin e kryer”, thuhet në postimin në rrjetin social “Facebook”.

Më tej, në kumtesë është cituar kryetari Bahtiri duke thënë se “nuk do të lejojnë asnjëherë që mësimdhënësit të cilët shprehin dhunë të jenë pjesë e institucioneve arsimore në komunën tonë”.

KALLXO.com ka raportuar të mërkurën se një grua në qytetin e Skenderajt është therrur disa herë me thikë e që për këtë akt është arrestuar burri i saj si i dyshuar.

Në kërkesën e Prokurorisë për ta paraburgosur të dyshuarin F.R, thuhet se ky i dyshuar  të mërkurën ka therur bashkëshorten e tij derisa ajo dhe fëmijët e tyre ishin në gjumë.

F.R dyshohet se në orët e hershme të mëngjesit me thikë kishte therrur gruan në gjoks, bark, duar dhe këmbë.

Sipas Prokurorisë, viktima ishte sulmuar rreth 20 herë.

Dosja e Prokurorisë- Burri nga Skenderaj theri gruan në gjumë