Foto: Kallxo.com

Agim Bahtiri: PLAN të matet me zgjedhje, të mos fshihet skutave

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, e ka komentuar takimin e sotëm konsultativ të Presidentit Hashim Thaçi me liderët e partive në të cilin ai vendosi që t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re koalicionit që arrin ta sigurojë shumicën në Kuvend, duke shmangur kështu zgjedhjet e reja.

Bahtiri, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një shkrimi në Facebook e ka quajtur të turpshëm dhe antikushtetues vendimin që për formimin e qeverisë së re të mandatohet një kandidati tjetër jashtë subjektit që fitoi zgjedhjet me 6 tetor.

“Mund ta bëni qeverinë me veprime antikushtetuese por pastaj nuk mundeni sepse populli do t’iu lë në opozitë më gjatë se sa prisni”, ka shkruar Agim Bahtiri.

Ky është postimi i plotë i Bahtirit në facebook.

“Mandatimi për kryeministër i një kandidati tjetër, përveç kandidatit që vjen nga subjekti që i ka fituar zgjedhjet më 6 tetor është i turpshëm dhe antikushtetues.

Ju mund ta bëni një qeveri me veprime antikushtetuese, por pastaj nuk mundeni, sepse populli do të ju lë në opozitë më gjatë se që e prisni.

Albin Kurti ështe dhe do të mbetet kryeministri jonë, kryeministri legjitim i Kosovës, sepse është njeriu që nisi çkapjen e shtetit, ia ktheu identitetin shtetit dhe shpresën popullit.

Pra, kjo çka ka ndodhur dhe po ndodh sot, është antikushtetuese, antiligjore, jo njerëzore dhe e turpshme, sepse po i vjedhet mandati popullit nga ata që nuk dolën në zgjedhje.

PLAN-i duhet të del e të matet, e jo të fshehet skutave”