Agim Bahtiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agim Bahtiri përballet me premtimet për punësim e prodhim në Mitrovicë

Mbi 3 mijë të punësuar, fabrika e çerdhe të reja ishin kryefjala e fushatës së Agim Bahtirit që është në mandatin e dytë të qeverisjes së Mitrovicës.

Bahtiri, atëkohë anëtar i partisë së Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re, fitoi zgjedhjet në qytetin që tradicionalisht udhëhiqej nga PDK-ja.

Biznesmeni kishte dalur në fushatë i bindur se Mitrovicën do ta kthejë në vatër të zhvillimit ekonomik. 

Në 7 vite të qeverisjes, Bahtiri nuk arriti të realizojë të gjithë premtimet e tij për vende pune e fabrika.

Atij i ra të përfshihet edhe në luftëra politike të qendrës e të ndërrojë parti pasi kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje.

Bahtiri pati refuzuar që të marrë pjesë në debatin e balotazhit në zgjedhjet e vitit 2017, me kundër kandidaten e tij Valdete Idrizi, por tre vite pas erdhi në debatin “Jeta në Komunë”.

Përballë Jeta Xharrës, të mërkurën Bahtiri foli për qeverisjen e tij në ballafaqim me vërtetmatësin KRYPOMETRIN.

Jeta në Komunë, Mitrovicë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në emision ai u përball edhe me shqetësimet e qytetarëve të komunës së Mitrovicës dhe kritikat e opozitës e shoqërisë civile.

Ndërtimi i tre çerdheve për fëmijët e Mitrovicës ishte premtuar nga Bahtiri në vitin 2017 ndërsa tre vite pas ky premtim nuk është realizuar.

Kryetari u arsyetua duke thënë se projektet do të përfundojnë në vazhdim pasi “nuk pati mjete financiare për to në pjesën e parë të mandatit”.

“Së pari dua të ju them se çerdhja në Shipol do të fillojë pasnesër dhe do të përfundojë në vitin e ardhshëm, për arsye se kemi pasur pandeminë dhe nuk kemi pas mundësinë me shpallë tenderin, gjashtë muajt e parë“, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri u përball edhe me premtimin e tij se do të shtonte barazinë gjinore në pozita udhëheqëse në komunë. Kryetari kishte premtuar se 6 gra do t’i bënte drejtoresha në komunën e tij por momentalisht vetëm tri gra udhëheqin me drejtoritë e Komunës së Mitrovicës.

 

“Për arsye se koalicioni i cili është dashur të lidhet ka qartur balancin… Ne kemi 6 drejtori, unë mendoj se gruaja në Mitrovicë është me shumicë e punësuar edhe shefe ka të mjaftueshme“, deklaroi Bahtiri.

Bahtiri në mandatin e tij të parë po ashtu kishte premtuar edhe transport urban për qytetarët e Mitrovicës, por edhe pas 7 vjetëve qeverisje në këtë komunë kjo nuk është realizuar.

“ Kemi vështirësi në atë drejtim për arsye se ne kemi një stacion por e kemi një ç’rregullim të sistemit të transportit me kombi-busa, jemi munduar disa herë më i ndal. E kam pasë plan me i ndërpre, kam thënë më 2013, për arsye se më 2013 për mua ka qenë diçka e re dhe kur e kam kuptuar si kryetar se ndryshojnë gjërat nuk kam shkuar në premtime fare“, tha tutje Bahtiri.

Në mesin e shumë temave që u diskutuan në debatin “ Jeta në Komunë “, u fol edhe për shëndetësi, arsim, ligj e borxhe të komunës.

Asamblistja e PDK-së, Vesa Broja, ka kërkuar të dijë nga Bahtiri se ku kanë shkuar mbi 14 mijë euro nga shuma prej 200 mijë euro të cilat ishin ndarë së fundmi për ndërtimin e çerdhes në Shipol.

Kurse Donjet Bislimin, asamblist i PDK-së, ka thënë se arsyeja kryesore e mos ndërtimin të kësaj çerdhe sipas Raportit të Audtimit ishin vërejtja nga Auditori për nënshkrimin e kontratave përtej vlerave të parashikuara të buxhetit.

Bahtiri ka thënë se deri në fund të vitit 2021 do të përfundojë çerdhja në Shipol, e cila sipas tij do të kushtojë 300 mijë euro.

“Sigurisht që përmbaruesi nuk pyet por i merr paret por 48 mijë euro i kemi nda për çerdhe, i kemi dhanë avans dhe ajo do të fillojë pasnesër dhe do te shihini as ajo çerdhe do të behet dhe jo çerdhe e vogël por çerdhe që kushton 300 mijë euro… Do të kryhet vitin e ardhshëm “, tha Bahtiri.

Në raportin e performances të Ministrisë së Pushtetit Lokal, komuna e Mitrovicës është renditur e 15-ta me 49.21% sa i për ketë ofrimit të kushteve në për kujdesin shëndetësor në nivelin primar.

Të dhënat flasin që edhe në Mitrovicë gjashtë mjekë e kanë lënë punën dhe kanë migruar në Evropë.

Kjo e ka sjellur Mitrovicën në një gjendje ku në gjithë komunën punojnë vetëm 19 mjekë specializant të mjekësisë familjare ndërsa për këtë komunë sipas standardeve do duhej të ishin  36.

Kryetari i Mitrovicës është befasuar gjatë debatit me gjetjet e hulumtimit të “Jeta në Komunë” në lidhje më mykun brenda Qendrës së Mjekësisë Familjare në Koshtovë.

Qendra e Mjekësisë Familjare në Koshtovë, Mitrovicë.
FOTO-Bahrie Sadiku/KALLXO.com

Bahtiri ka thënë se në atë zonë do ta ndërtojë një qendër të re.

“Ka shumë që janë renovuar, në Koshtovë ka me u ndërtu e re… Do të përfundojë vitin e ardhshëm“, tha Bahtiri.

Ai u përball edhe me fotografi e dëshmi të problemeve të theksuara në infrastrukturë te disa Qendra të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

Ndër shqetësimet që ndanë mitrovicasit ishin edhe problemet me transport e ujë.

Milaim Ramadani nga OJQ PRAM ka parashtruar problemet lidhur me rrugën dhe rrezikshmërinë që iu kanoset familjeve të komunitetit ashkali që jetojnë në atë lagje për shkak te lumit Sitnica i cili pas te reshurave del nga shtrati.

Kjo pasi  pas punimeve që kishin filluar në shtratin e këtij lumi është hequr edhe bankina që kishte ndihmuar në parandalimin e vërshimeve nga uji.

Bahtiri ka thënë se punimet në shtratin e Lumit Sitnica kanë filluar dhe do të vazhdojnë së shpejti.

Përpos temave për hallet e qytetarëve, Kryetari u përball edhe me çështjen e imazhit publik të zyrtarëve të komunës.

i Bahtiri ka shpejguar pjesëmarrjen e nënkryetarit në një ndejë  ku është gjuajtur me armë.

“ Unë kam qenë i ftuar aty s’kam mujt me shku ka shkuar nënkryetari, nuk di si ka rrjedh situata por e di se Faruku është një qytetar i qytetëruar ..ka qenë një tubim që është shtruar një rrugë dhe ata kanë dëshiruar të bëjnë një drekë dhe nuk mundemi me ditë kush shtin, megjithatë ai është ngrit dhe ka ardh shpi “, tha Bahtirigjuajtur me armë.

Ai megjithatë tha se nëse ai do të ndodhej në një situatë të tillë do ta lajmëronte rastin në polici.

Gjatë debatit “Jeta në Komunë “ aktivistja e shoqërisë civile Nerimane Ferizi ka kritikuar të parin e Mitrovicës për fjalët që përdor Bahtiri sipas saj në raport më asamblistët.

“Neve si aktivistë të shoqërisë civile na ka ra me shku me vizitu disa nga seancat që janë mbajtë në Kuvendin Komunal edhe shpeshherë ka ndodhë që kryetari u është drejtuar kur është përmend diçka… Donjetit më duket një herë: Mshele gojën! me bërtima, pastaj Flutra Bekës i është drejtu: Mshele gojën!, Gjergj Bekën e ka quajtur: Idiot… Qysh e arsyeton sjelljen tuaj përballë asamblistëve përfaqësues të popullit edhe nëse në një të ardhme a ka me ndryshu kjo?“, ka pyetur Ferizi.

Bahtiri nuk e ka mohuar këtë situatë.

“Po ka ndodh edhe këto por duhet ta dini një se unë kam dëshirë se kur trajtohet një problem të mos hyhet në problemin tjetër, unë në atë moment kur ju kam drejtuar asmblisti ka qenë pika të cilën e kam fut në rend të ditës dhe kam kërkuar që të votohet për të dhënë mundësinë që kabllat që janë mbi tokë të futen nën tokë dhe këtu asamblistët me inat nuk e kanë votuar…”, ka thënë Bahtiri.

Pas kësaj, u fol edhe për infrastrukturën e Mitrovicës e problemet me rrugë. Megjithatë një ndër zhvillimet pozitive në këtë komunë konsiderohet të jetë projekti i Liqenit Akumulues që është financuar nga Bashkimi Europian

Megjithë shndërrimit të këtij projekti në zonë atraktive për vizitorë, u evidentua se në komunë ka ende sfida në mirëmbajtje të zonës