Agim Bahtiri ia shtroi tepihun e kuq Vjosa Osmanit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani sot ka vizituar Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Me rastin e kësaj vizite, Osmani është pritur me tepih të kuq, i cili është vendosur në hyrje të komunës.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri  theksoi se ka pasur kënaqësinë që sot të pres në takim Osmanin, cila shoqërohej nga deputët e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj e Haxhi Avdyli dhe Hajrullah Çeku.

Bahtiri në Facebook ka shtuar se  në këtë takim kanë bashkëbiseduar për të gjetur mënyrën më të mirë për menaxhimin e situatës me pandeminë e koronavirusit COVID-19 në qytetin e Mitrovicës.

I par ii Mitrovicës theksoi se kanë diskutuar edhe për sfidat mjedisore.

“Me këtë rast e falënderova kryeparlamentaren znj. Osmani dhe deputetët e pranishëm për vizitën dhe interesimin e tyre për situatën epidemiologjike.Nga kryeparlamentarja znj. Osmani, mora vlerësim të lartë për menaxhimin e suksesshëm deri më tani të situatës me pandeminë COVID-19, ku ajo u shpreh e bindur se masat e reja të marra nga Komuna e Mitrovicës do të japin shembull të mirë tek qytetarët”, thuhet në publikimin e tij.

Bahtiri ka shtuar se ara kryeparlamentares ka theksuar faktin se në Mitrovicë po realizohen projekte madhore siç janë rregullimi i shtratit të lumit Ibër dhe Sitnica, projekte këto që do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e mjedisit.

“Për të përmirësuar ambientin komuna ka angazhuar edhe kompaninë publike ‘Uniteti’ për pastrimin e gjithë qytetit, e cila në vazhdimësi kryen punë të shkëlqyeshme”, ka theksuar mes tjerash ai.

“Së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka e shoqëruam kryeparlamentaren znj. Osmani dhe deputetët për vizitë te hapësirat e gjelbra përreth Liqeni Akumulues, ku u takuam edhe me qytetarë të Mitrovicës e të shoqërisë civile, me të cilët biseduam lidhur me rëndësinë që ka ambienti, sidomos gjatë kësaj periudhe të pandemisë”, thuhet tutje në publikimin e Bahtirit.

Ata i kanë bërë një vizitë në kompleksin industrial “Trepça”.

Sipas Bahtirut, aty janë njoftuar nga afër me problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen që nga paslufta pjesët e këtij kompleksi industrial, siç janë: Industria e akumulatorëve, Industria kimike dhe Metalurgjia e zinkut.