Agim Bahtiri - Foto: Facebook

Agim Bahtiri e quan 'bandit të vogël' Dardan Molliqajn

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka reaguar pas sulmit të Dardan Molliqajt ndaj Haki Abazit, anëtar i Vetëvendosjes dhe kandidat për deputet të Kosovës.

Për KALLXO.com, vetë Haki Abazi, e ka konfirmuar se ishte sulmuar nga Dardan Molliqaj dhe shoqëruesi i tij me grushte.

Bahtiri veprimin e Molliqajt e ka quajtur veprim kriminal dhe të patolerueshëm.

Më poshtë mund të shihni reagimin e plotë të Bahtirit:

“E dënoj ashpër sulmin fizik të Dardan Molliqajt ndaj Haki Abazit.

Veprime të tilla kriminale tregojnë se Molliqaj dhe shokët e tij e kanë dëmtuar me vite Lëvizjen Vetëvendosje, duke bërë veprime të dhunshme dhe të patolerueshme.

Përkrahjen e gjithmbarshme popullore ndaj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk po e pranojnë dezertorët e PSD-së.

Me veprime banditeske Molliqaj dhe shokët të tij, po mundohen t’i hyjnë në hatër gangsterëve të partisë që iu kanë bashkëngjitur.

Ka kaluar koha e frikës dhe dhunës, sepse askush nuk i frikësohet askujt, aq më pak banditëve të vegjël si Dardan Molliqaj, i cili krejt famën e ka të ndërtuar duke nxjerrë njerëz zhag nga veturat.

Veprimi i sontëm është i ligë dhe tinëzar, sepse herave të tjera nuk do ta ketë rastin ta përsërit të njëjtin!

AB