Agim Ademi, kryetar i FFK-së. Foto: Kallxo.com

Agim Ademi për vendimin e Gjykatës Supreme: U konfirmua pafajësia ime

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi përmes faqes zyrtare të FFK-së ka reaguar mbi vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme të Kosovës, që ka vendosur ta kthej në rigjykim lëndën e tij.

Mirëpo, për Agim Ademin ky vendim i Gjykatës Supreme të Kosovës e konfirmon pafajësinë e tij.

“Me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, sot u konfirmua pafajësia ime në lidhje me pretendimet e pabazuara të Prokurorisë së Republikës së Kosovës. Me këtë aktgjykim, u konfirmuan shkeljet e shumta në të cilat ishin përfshirë Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit të Kosovës, të cilat padrejtësisht më shpallen fajtor në lidhje me veprën penale që pretendohej nga prokuroria”, thuhet në letrën e Agim Ademit.

Kryetari i Federatës së futbollit Agim Ademi, me aktgjykim të formës së prerë ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për shkak të veprës penale “Detyrimi në tentativë”  dhe të njëjtit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 muajve.

Supremja kthen në pikën zero rastin ndaj kryetarit të FFK-së

Më pas Gjykata e Apelit, pas vlerësimit të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, kishte gjetur se ai ishte pranuar në ekzaminim në një Klinikë Emergjente, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore dhe se atij i ishte rekomanduar të pushojë, e pastaj të vazhdojë trajtimin e mëtejmë në institucionin në të cilin paraprakisht ishte trajtuar dhe ka historinë personale për sëmundjen.

Më këtë Gjykata e Apelit kishte konsideruar se i dënuari ka nevojë për kujdes të shtuar shëndetësor, duke e plotësuar kështu kushtin për shtyrje të ekzekutimit të dënimit.

Kryetari i Federatës së Futbollit – FFK, Agim Ademi së bashku me Muhamet Ramën në korrik të vitit të kaluar ishin shpallur fajtor nga Gjykata e shkallës së parë lidhur me akuzuat për kërcënim me vdekje të një personi.