Agim Ademi për lirimin e tij nga aktakuza: Në fund triumfoi e drejta!

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pasi Gjykata e Prishtinës e liroi atë sot nga aktakuza për veprën penale të detyrimit në bashkëkryerje.

“Në fund triumfoi e drejta!” – ka shkruar Ademi në “Facebook”.

Ai falënderoi të gjithë që kanë besuar në punën e tij, familjen e tij dhe avokatët e tij mbrojtës.

“Ky aktgjykim është motiv shtesë për mua që të vazhdoj angazhimin tim në ngritjen e futbollit  të Kosovës në nivelet më të larta dhe të kontribuoj në përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë” – ka shtuar kreu i FFK-së.

Gjykata e Prishtinës, siç tha Ademi, nuk ka gjetur asnjë provë që vërteton se ai ka kryer ndonjë vepër penale, për të cilën tha se “ka qenë i akuzuar padrejtësisht për më shumë se 10 vjet.”

Bashkë me Ademin, nga të njëjtat akuza u lirua edhe Muharrem Rama, ndonëse në seancë nuk ishin prezentë asnjëri.

Ademi dhe Rama në korrik të vitit 2019 ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Prishtinës lidhur me veprën penale të detyrimit.

Agim Ademi ishte dënuar me burgim prej 9 muajve, ndërsa Muharrem Rama ishte dënuar me burgim prej 1 viti.

Gjykata e Apelit në shkurt të vitit 2020 kishte vërtetuar dënimin e gjykatës së shkallës së parë.

Rasti nuk kishte përfunduar me kaq, pasi që rasti ishte referuar në Gjykatën Supreme me kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë.

E pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Supreme e kishte kthyer rastin në pikën zero.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të të dënuarve A.A., dhe M.R., për shkak të veprës penale detyrimi në tentativë, ka aprovuar si të bazuara kërkesat e tyre për mbrojtje të ligjshmërisë dhe çështjen e ka kthyer për rigjykim, në shkallë të parë” – thuhej në komunikatën për media të Gjykatës Supreme.

Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzoheshin për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit.

Kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi, së bashku me Muharrem Ramen akuzoheshin se e kanë kërcënuar me vdekje një person. Sipas Prokurorisë ata kishin qenë persona zyrtarë kur kanë bërë ndryshimin e statusit të parcelës duke e shndërruar nga zona e gjelbëruar në zonë ndërtimore.

Në bazë të aktakuzës, Agim Ademi e Muharrem Rama, akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMË X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMË X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore.

Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzoheshin edhe për veprën penale të ushtrimit të ndikimit por për këtë vepër penale atë kohë kishte arritur parashkrimi.