Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Afganistani nuk duhet të bëhet strehë për terroristët, thotë Macron

Franca do të bëjë gjithçka që është e mundur në mënyrë që Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Evropa t’i përgjigjen bashkarisht situatës së re në Afganistan, tha presidenti francez, Emmanuel Macron.

Ai tha se militantët islamikë do të shikojnë mundësinë e përfitimit nga trazirat në Afganistan.

“Afganistani nuk duhet të bëhet strehë për terroristët siç ishte dikur”, tha Macron në një fjalim kombëtar të hënën më 16 gusht.

Macron e quajti gjendjen në Afganistan si “një sfidë për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, kundër një armiku të përbashkët”.

Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit./REL