Ilustrim

Afganistan, e shitën tek një i panjohur që familja e saj të mbijetojë

Parwana Malik nga Afganistani është një 9-vjeçare me sy të zi, faqe të kuqe dhe me buzëqeshje teksa luan me shoqet e saj në një vend të mbushur me pluhur. Por buzëqeshja e saj zbehet në momentin kur ajo kthehet në shtëpi dhe përballet me fatin e saj, ajo po shitet si “nuse” tek një i panjohur, raporton CNN.

Burri që dëshiron ta blejë Parwanan, thotë që është një 55-vjeçar, por në sytë e saj ai është një person i moshuar me vetulla dhe mjekër të thinjura. Ajo ndihet e merakosur se burri do ta rrahë dhe do ta detyrojë që të punojë në shtëpinë e tij, mirëpo prindërit e saj thonë se nuk kanë tjetër zgjidhje.

Për katër vite, familja e saj kanë jetuar në një kamp në Badghis në Afganistan, duke mbijetuar nën ndihmat humanitare dhe punë të detyruar për të fituar disa dollarë në ditë. Jeta e saj është vështirësuar që kur Talibanët morën pushtetin në gusht të këtij viti.

Përderisa ndihmat sociale po pakësohen dhe ekonomia e vendit po shkatërrohet, familja e Parwanës nuk mund të përballojë të blejë gjërat esenciale. Babai i saj tashmë ka shitur edhe motrën e saj 12-vjeçare disa muaj më parë.

Parwana është një nga vajzat e reja afgane të cilat shiten për martesë në kohën kur kriza humanitare në vendin e tyre është në krizë. Uria i ka shtyrë disa familje që të marrin kësisoj vendime të trishta, sidomos kur dimri i ashpër po afron.

Abdul Malik, babi i Parwanës thotë se nuk mund që të fle natën pasi sipas CNN ai ndihet i thyer, në faj, turp dhe merak. Ai ishte përpjekur të anashkalonte shitjen e saj duke udhëtuar në provinca të ndryshme për të kërkuar punë por që pa fat.

Parwana shpresonte se do të ndryshonte mendjen e prindërve të saj dhe sepse dëshironte që të ndiqte ëndrrën e saj për tu bërë mësuese dhe nuk dëshironte të ndërpres shkollimin. Mirëpo lutjet e saj ishin të kota.

Më 24 tetor, blerësi i saj Qorban-i arriti në shtëpinë e saj dhe i dha babit të saj rreth 2,200 dollarë, tokë dhe bagëti.

Qorban nuk e përshkruante shitjen si martesë, duke thënë se ai tashmë ka bashkëshorten e tij e cila do të kujdeset për Parwanan si të ishte vajza e tyre.

“Parwana ishte e lirë dhe babai i saj i varfër ka nevojë për para. Ajo do të bëjë punët e shtëpisë. Nuk do ta rrah por, do ta trajtoj si pjesëtare të familjes dhe do të jem i sjellshëm ndaj saj”, ka thënë Qorban.

Që nga marrja në pushtet e Talebanëve, histori sikur të Parawanas janë në rritje.

Megjithëse martesa nën moshën 15-vjeçare është ilegale, është duke u praktikuar me vite me radhë ne viset rurale të Afganistanit dhe është përhapur në masë më të madhe që nga gushti i këtij viti.

Më shumë se gjysma e popullsisë po përballet me pasiguri akute ushqimore, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të publikuar këtë javë. Poashtu më shumë se 3 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç përballen me kequshqyerje akute në muajt e ardhshëm. Gjatë gjithë kohës, çmimet e ushqimeve po rriten, bankave po u mbarojnë paratë dhe punëtorët nuk po paguhen.

Gati 677 mijë persona janë zhvendosur këtë vit për shkak të luftimeve, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA). Shumë prej tyre jetojnë në tenda dhe kasolle në kampet e zhvendosjes së brendshme sikurse familja e Parwanas.