Ilustrim
Afganët mbesin "të bllokuar" në Shqipëri tre vjet pas rikthimit të talibanëve
Fatima dhe djali i saj i vogël u larguan nga shtëpia e tyre menjëherë pasi talibanët rimorën pushtetin në Afganistan, në vitin 2021.
Duke qenë ish-deputete, ajo ishte në rrezik nga një hakmarrje e mundshme e grupit islamik të linjës së ashpër.
Por, tre vjet pas ardhjes në pushtet të talibanëve, Fatima jeton me djalin e saj 7-vjeçar në Shqipëri, në pritje për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.
“Paqartësia është torturuese”, tha nëna vetushqyese, emri i së cilës është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj. “E ardhmja jonë është pezull”.
Fatima ishte në mesin e qindra mijëra afganëve të rrezikuar që u larguan nga atdheu i tyre pas rënies së Qeverisë afgane që mbështetej nga Perëndimi dhe rimarrjes së pushtetit nga talibanët.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nxorën me avionë dhjetëra mijëra afganë jashtë vendit gjatë evakuimit kaotik dhe vdekjeprurës nga Kabuli.
Fatima ishte në mesin e atyre që iku rrugës për në Pakistanin fqinj. Prej aty, disa mijëra afganë u zhvendosën përkohësisht në Shqipëri, ndërsa prisnin që të përpunoheshin vizat e tyre amerikane.
Por, tre vjet pas rimarrjes së pushtetit nga talibanët, dhjetëra afganë mbeten të bllokuar në vendin e vogël ballkanik.
“Është e dhimbshme të mos e di se çfarë nuk shkon me rastin tim”, tha Fatima, e cila jeton në një apartament në kryeqytet, Tiranë.
“Pse po vonohet?”, theksoi ajo.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, më shumë se 160.000 afganë janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara sipas programit të vizave speciale imigruese (SIV) që nga shtatori i vitit 2021.
Vizat SIV janë të destinuara për afganët që i kanë shërbyer Qeverisë së SHBA-së ose forcave të NATO-s të udhëhequra nga SHBA-ja, në Afganistan për të paktën një vit.
Aleatët e SHBA-së në Perëndim, gjithashtu, kanë strehuar dhjetëra mijëra afganë.
Afganët që nuk kualifikohen për SIV, mund të aplikojnë për Programin e Pranimit të Refugjatëve në SHBA (USRAP), i cili u jep status prioritar të veçantë afganëve që kanë punuar për projekte të financuara nga Qeveria amerikane në Afganistan, përkthyes për Qeverinë amerikane dhe ndihmës për punonjësit e mediave dhe organizatave me bazë në SHBA.
Procesi i aplikimit për vizat SIV dhe zhvendosja përmes programit USRAP, mund të zgjasë me vite dhe grupet e avokimit kanë thënë se programet po vazhdojnë shumë ngadalë.
Kjo do të thotë se mijëra afganë që shpresojnë të sistemohen në Shtetet e Bashkuara kanë mbetur në harresë të gjerë në vendet e treta, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./REL