Afera për patentë shoferët, japin fjalën përfundimtare ish-zyrtarët e Ministrisë
Ish-ushtruesi i detyrës i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, ish-drejtori i Departamentit të automjeteve, Kadri Krasniqi, dhe ish-këshilltari politik i Ministrisë, Pjetër Ndou, janë ulur edhe sot, më 30.07.2024, në bankën e të akuzuarve të Gjykatës së Prishtinës, ku po gjykohen për rastin e aferës për patentë shoferët.
Seanca ka filluar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Pjetër Ndou.
Gjatë mbrojtjes, i akuzuari deklaroi se ndihet plotësisht i pafajshëm.
“E gjithë puna dhe angazhimi im ka qenë ekskluzivisht i angazhuar për mbarëvajtje të Ministrisë, jam angazhuar maksimalisht gjithçka të punohet sa më mirë dhe ndihem plotësisht i pafajshëm”- tha i akuzuari Pjetër Ndou.
Tutje i akuzuari shtoi se asnjëherë nuk kishte qenë i përfshirë në asnjë tender dhe tregoi për detyrat e tij gjatë kohës sa kishte qenë këshilltar politik i ish-ministrit Pal Lekaj.
“Gjatë gjithë punës time si këshilltar i ministrit, as edhe një herë të vetme në asnjë rast nuk ka ndodhë të jem i përfshirë në asnjë mënyrë në asnjë tender dhe asnjë punësim dhe asnjë kalim të ndonjë kandidati për patentë shofer. Detyra ime ekskluzive ka qenë të monitoroj gjendjen në departamentet e caktuara nga ministri për shkak të volumit të jashtëzakonshëm të punës ka pasë pothuajse çdo të dytën apo të tretën ditë ankesë nga palët e ndryshme”- tha gjatë mbrojtjes së tij Pjetër Ndou.
Ndërsa për të akuzuarit e tjerë, Pjetër Ndou tha se i njeh pasi që kanë punuar në të njëjtin vend dhe asnjëherë nuk kishte kërkuar ndonjë favor nga ta.
Tutje, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me fjalën përfundimtare.
Prokurori i çështjes, Kujtim Munishi, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim dhe të njëjtën ia ka dorëzuar gjykatës.
Mbrojtësi i të akuzuarit Nebih Shatri, avokati Driton Musliu, fjalën përfundimtare e ka përgatitur në formë të shkruar dhe të njëjtën e ka elaboruar në pika të shkurta.
Sipas Musliut, nga ana e prokurorit nuk janë argumentuar pretendimet se Nebih Shatri ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
Tutje, në fjalën përfundimtare u deklarua edhe i akuzuari Nebih Shatri, i cili tha se e mbështet fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, dhe shtoi se veprimet e tij kanë qenë të gjitha në pajtim me ligjin.
“Të gjitha veprimet e mia kanë qenë në zbatim dhe në përputhje me ligjin, ngritja e aktakuzës është një dëm i madh që më është bërë, dhe shpresoj që më shpalljen e pafajësisë të zbutet sadopak ky dëm”- u shpreh i akuzuari Nebih Shatri.
Fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Krasniqi, avokati Murat Paçarada, dhe të njëjtën e ka elaboruar në pika të shkurta duke thënë që nuk është vërtetuar akuza e Prokurorisë me asnjë provë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.
Ndërsa në fjalën përfundimtare i akuzuari Kadri Krasniqi tha se akuza ndaj tij ishte ngritur pa bazë, duke shtuar që asnjëherë në jetë të tij nuk kishte rënë ndesh me ligjin. Krasniqi deklaroi se nga kjo akuzë ka pasur ndikim në gjendjen e tij shëndetësore.
“Aktakuza që është ngritur është ngritur pa bazë pasi që kurrë në jetën time nuk kam vepruar në kundërshtim me ligjin por çdoherë jam munduar që punët t’i kryj konform dispozitave ligjore, por kjo aktakuzë ka ndodhur nga personat e caktuar, dhe ne këtë barrë e kemi prej vitit 2018 dhe më ka ndikuar në shëndet dhe në personalitetin tim”- tha i akuzuari.
I akuzuari tjetër, Pjetër Ndou tha se maltretimi që i është shkaktuar nga dita e arrestimit i ka shkaktuar dëm të pariparueshëm, duke theksuar se iu ka cenuar integriteti.
“Maltretimi qe na është bërë që nga dita e arrestimit 26.11.2028 na ka shkaktu dëm të pariparushëm edhe nga ana materiale edhe nga ana morale na ka cenu integritetin”- tha i akuzuari Ndou.
Kurse avokati Meshari Selimaj, i ciil mbron Ndoun, tha se gjatë këtij gjykimi nuk është vërtetuar në asnjë pikë që është kryer vepra penale e cila i vihet në barrë klientit të tij.
Kjo çështje penale po gjykohet nga Fatime Dërmaku kryetare e trupit gjykues dhe anëtarët Ertan Sejfulla dhe Naser Foniqi.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Nebih Shatri akuzohet se duke qenë u.d. Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, nuk ka lidhur kontrata me dhjetëra ekzaminues për patentë shoferë, të angazhuar në Ministri dhe nuk kishte zhvilluar procedurë rekrutimi për ta.
Dosja e Prokurorisë thotë se veç kësaj ai kishte ndryshuar edhe emrat e ekzaminuesve që i kishte propozuar drejtori i Departamentit për patentë shoferë.
Ndërsa, Kadri Krasniqi akuzohet se kishte lejuar hapjen e konkursit për provimin për licencimin për ekzaminues, në dijeni të të akuzuarit Nebih Shatri, pa planifikim paraprak.
Për ushtrim ndikimi në këtë rast akuzohet Pjetër Ndou, i cili ka qenë këshilltar politik në këtë Ministri.
Dosja e Prokurorisë thotë se ai ka ndikuar te ministri i atëhershëm Pal Lekaj dhe zyrtarët e Ministrisë që persona të caktuar të kalojnë provimin teorik për patentë shoferë.
Tutje ai akuzohet se ka ndikuar edhe në një tender që një operator ekonomik të fitojë linjën e transportit, dhe një ndikim tjetër në përzgjedhjen e kandidatëve për ekzaminues.
Periudha kohore e kryerjes së këtyre veprave penale, sipas Prokurorisë, dyshohet të jetë periudha 2016-2018.