Afera e 2-milionëshit, shtyhet seanca

Për shkak të mungesës së gjyqtares Shadije Gërguri, seanca për aferën e 2-milionëshit është shtyrë për 13 qershor.

Gjyqtari Arben Hoti ka njoftuar se për shkak të një emergjence gjyqtarja Shadije Gërguri ka kërkuar pushim vjetor për ditën e sotme.

Në seancën e mbajtur më 28 shkurt, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për veprat për të cilat akuzohet nga Prokuroria Speciale.

Ndërsa, Labinot Gruda në seancën e mbajtur më 11 shkurt e kishte pranuar fajin, mirëpo ishte refuzuar pranimi i fajësisë nga gjykata lidhur me veprën penale “shpëlarje parash” në bashkëkryerje me të akuzuarin Kadri Shala.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka përshkruar se më 9 tetor të vitit të kaluar, Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Labinot Grudës, zyrtar në Ministrinë e Financave, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë Speciale, Kadri Shala ka kryer veprën penale të ndihmës e cila është ndërlidhur me veprën tjetër penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Dy të pandehurit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, sipas aktakuzës nga data 9 tetor deri më 15 tetor të vitit 2020 në Prishtinë, pas marrëveshjes dhe planifikimit paraprak në bashkëkryerje kanë bërë transferimin e parave nga Thesari i Shtetit në kompaninë e personit të autorizuar Kadri Shala “LDA GROUP SHPK”  ndërsa me qëllim të fshehjes së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, i ka ndarë rreth 2.1 milionë eurot në llogari të ndryshme bankare të personave fizikë nën arsyetimin për blerje, huazim, avans, donacione e kryerje të borxheve.

1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë Shala dyshohet se i ka transferuar në 26 kompani të ndryshme në Kosovë ndërsa 440 mijë euro i njëjti person dyshohet se i ka transferuar në llogari bankare në Turqi nën arsyetimin për pagesë të blerjes së makinerisë së betonierës dhe pompës së betonit.