Afera e '2 milionëshit', kërkohet negocim me prokurorinë

Për shkak të kërkesës së palëve për negocim me prokurorinë ka dështuar të mbahet seanca për aferën e ‘2-milionëshit’.

Gjykatësi Arben Hoti konfirmoi për KALLXO.com, se shtyrja e seancës ka të bëjë me kërkesën e palëve për negocim mbi marrëveshje të pranimit të fajësisë.

Në seancën e mbajtur më 11 Shkurt Labinot Gruda ishe deklaruar i fajshëm mbi akuzat që i vihen barrë, ndërsa Kadri Shala ishte deklaruar i pafajshëm.

Mirëpo, i akuzuari Shala tash ka kërkuar negocim për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

Gjykatësi Hoti njoftoi se në bazë të KPPK-së, palët kanë të drejtë në çdo fazë të procedurës të kërkojnë negocim të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka përshkruar se më 9 tetor të vitit të kaluar, Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Labinot Grudës, zyrtar në Ministrinë e Financave, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë Speciale, Kadri Shala ka kryer veprën penale të ndihmës e cila është ndërlidhur me veprën tjetër penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Dy të pandehurit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, sipas aktakuzës nga data 9 tetor deri më 15 tetor të vitit 2020 në Prishtinë, pas marrëveshjes dhe planifikimit paraprak në bashkëkryerje kanë bërë transferimin e parave nga Thesari i Shtetit në kompaninë e personit të autorizuar Kadri Shala “LDA GROUP SHPK”  ndërsa me qëllim të fshehjes së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, i ka ndarë rreth 2.1 milionë eurot në llogari të ndryshme bankare të personave fizikë nën arsyetimin për blerje, huazim, avans, donacione e kryerje të borxheve.

1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë Shala dyshohet se i ka transferuar në 26 kompani të ndryshme në Kosovë ndërsa 440 mijë euro i njëjti person dyshohet se i ka transferuar në llogari bankare në Turqi nën arsyetimin për pagesë të blerjes së makinerisë së betonierës dhe pompës së betonit.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK