Foto: Kallxo.com

Afera e 2-milionëshit, biznesmenët kërkojnë t’u zhbllokohen llogaritë bankare të bllokuara nga Gjykata

Kadri Shala dhe Labinot Gruda, të akuzuar për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, u ulën përsëri në bankën e të akuzuarve dhe u përballën me deklaratat e afro 30 biznesmenëve, të cilëve u janë bllokuar llogaritë bankare.

Gjykata njoftoi biznesmenët, të ftuar në cilësinë e palëve të treta, se arsyeja e ngrirjes së xhirollogarive është pretendimi i Prokurorisë se ato para janë pasuri si rezultat i veprimtarisë kriminale të të akuzuarve.

Të gjitha palët e treta, të cilët ishin pronarë biznesesh, shprehën pakënaqësitë se bllokimi i llogarive bankare u ka shkaktuar shumë probleme meqë i ka penguar në qarkullimin e afarizmit të tyre.

Të gjithë këta afaristë kërkuan nga Gjykata që të zhbllokojë llogaritë e tyre bankare në mënyrë që të vazhdojnë afarizmin e tyre me rregull.

Ata deklaruan se në këtë pikë janë të gatshëm të kthejnë ato para të cilat kanë pranuar sipas aktakuzës së Prokurorisë, mirëpo deklaruan se për të njëjtat kanë paguar TVSH dhe i kanë deklaruar në ATK.

Në anën tjetër, kryetari i trupit gjykues njoftoi se ka hapur një llogari bankare në emër të Gjykatës së Prishtinës, konkretisht për të mbledhur këto mjete nga llogaritë e këtyre palëve me qëllim që të zhbllokojë llogaritë e tyre.

“Unë si kryetar i këtij trupi gjykues, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, kam hapur një llogari në Bankën Qendrore në emër të Departamentit në mënyrë që paratë që me aktakuzë dhe me vendim të bllokimit afatgjatë janë bllokuar të kalojnë aty dhe qëllimi ka qenë që këtyre bizneseve t’u zhbllokohen llogaritë” – tha gjyqtari i çështjes Arben Hoti.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka përshkruar se më 9 tetor të vitit 2020, Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Labinot Grudës, zyrtar në Ministrinë e Financave, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë Speciale, Kadri Shala ka kryer veprën penale të ndihmës e cila është ndërlidhur me veprën tjetër penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Dy të pandehurit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, sipas aktakuzës nga data 9 tetor deri më 15 tetor të vitit 2020 në Prishtinë, pas marrëveshjes dhe planifikimit paraprak në bashkëkryerje kanë bërë transferimin e parave nga Thesari i Shtetit në kompaninë e personit të autorizuar Kadri Shala “LDA GROUP SHPK”  ndërsa me qëllim të fshehjes së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, i ka ndarë rreth 2.1 milionë eurot në llogari të ndryshme bankare të personave fizikë nën arsyetimin për blerje, huazim, avancë, donacione e kryerje të borxheve.

1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë Shala dyshohet se i ka transferuar në 26 kompani të ndryshme në Kosovë ndërsa 440 mijë euro i njëjti person dyshohet se i ka transferuar në llogari bankare në Turqi nën arsyetimin për pagesë të blerjes së makinerisë së betonierës dhe pompës së betonit.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.