Afera 2 milionëshe, sqarohen nga Thesari i Shtetit

 

Thesari i Shtetit ka dhënë sqarime rreth shkresës që i është dërguar operatorit për kthimin e mbi 2 milionë euro që iu transferuan nga zyrtari i saj i dyshuar Labinot Gruda.

Në sqarim thuhet se kjo shkresë është procedurë standarde e paraparë në nenin 12, paragrafit 12 të ligjit e buxhetit, i cili thotë se në rast se një individ, zyrtar, person apo një entitet pranon ndonjë pagesë nga Fondi i Kosovës si rrjedhim i gabimit, ngatërrimit apo lëshimit, ato fonde i kthehen Fondit të Kosovës në afat prej pesë (5) ditësh nga pranimi i njoftimit me shkrim.

“Pavarësisht nga shkaku dhe rrethanat e ndodhjes, ky është një transaksion i paautorizuar, përkatësisht dalje e paaprovuar e parasë publike dhe pa asnjë paragjykim mbi procesin, çdoherë kërkohet kthimi i tyre me një shkresë të tillë. Në këtë shkresë është bërë me dije se proceset hetimore janë nisur dhe rasti është njoftuar organeve, por kjo shkresë duhej të ishte dërguar në aspektin procedural dhe ligjor”, thuhet në reagimin nga Thesari.

“Letra është dërguar direkt në adresën e deklaruar në ARBK nga operatori ekonomik i dyshuar për krejt këtë, ndaj edhe në atë adresë është dërguar. Duke shprehur bindjen se të gjitha faktet do të zbardhën dhe kryesit do të marrin dënimin e merituar, e pame të rrugës të sqarojmë qëllimin dhe arsyen e dërgimit të kësaj shkrese, që është në përmbushje të obligimit ligjor si veprim procedural“, thonë nga Thesari i Shtetit.