Smajl Latifi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Afër përfundimi i afatit për ndërtimin e Zonës Ekonomike në Rahovec, punimet askund

Komuna e Rahovecit në vitin 2018 i është bashkuar komunave që do të mund të krijojnë Zonë Ekonomike.

Vendimi për krijimin e Zonës Ekonomike në Opterushë ishte marrë në qershor të vitit 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj nga AAK.

Tenderi për ndërtimin e kësaj Zone Ekonomike ishte dhënë më 28 tetor të vitit 2019 dhe vlera e kontratës është 68,460 euro. KALLXO.com ka vizituar këtë Zonë Ekonomike dhe deri më tani është vënë vetëm themeli i një muri që mbron këtë zonë.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në emisionin “Jeta në Komunë” ka treguar se kur do të përfundojë ndërtimi i kësaj Zone.

“Kontrata vazhdon deri në vitin 2021 dhe është dyvjeçare. Puna s’është kry dhe kryhet në 2021-tën. Sigurisht kryhet në pranverë, sepse pa u alokuar buxheti nuk mundemi. Kanë mu vazhdu punimet nuk është përfunduar kontrata dhe nëse ky e ka bërë murin keq ka kush kujdeset për cilësinë dhe është menaxheri i projektit, nuk është kry kontrata dhe s’është përfunduar”, tha Latifi përballë Jeta Xharrës.

 

Sonte në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, është kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Në këtë debat, Latifi do të ballafaqohet me premtimet e bëra në fushatën e vitit 2017, punët e përfunduara si dhe ato të papërfunduara deri tani, për tri vite të qeverisjes.

Tek pyetjet e ‘zërit të qytetarëve’, Latifi do të arsyetohet për mos funksionalizimin e hemodializës, mungesës së ujit e kanalizimit, me problemet e vreshtarëve të Rahovecit si dhe me problemet e mësimdhënësve të larguar nga puna e po ashtu edhe me muzeun e zbrazët të këtij qyteti.

Përballë Latifit nga ana e opozitës është vetëm asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Zhuniqi. Pjesëmarrës në debat janë edhe asamblisti i AAK-së, Ali Morina dhe nënkryetari i komunës, Fatmir Iska.