Gjykimi i Pjetër Ndrecajt për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij. FOTO-Tringa Rruka/KALLXO.com

Afër fundit gjykimi maratonik i Pjetër Ndrecajt për vrasjen e gruas dhe vajzës

I prangosur dhe i përcjellur nga forcat e rendit, Pjetër Ndrecaj erdhi sot në Gjykatën e Gjakovës ku do të jepte fjalën përfundimtare.

Disa plumba të Kallashnikovit patën lënë të vdekur Valbona Ndrecajn dhe vajzën e saj në Gjakov[, në njërin prej rasteve më të njohura të vrasjeve në Kosovë, në gushtin e vitit 2018.

Nën akuzën se ka vrarë gruan e tij, Valbonën dhe vajzën 9-vjeçare, Ndrecaj u gjykua nga fillimi pasi ishte dënuar nga Gjykata Themelore dhe e Apelit, vendime që u hodhën poshtë nga Gjykata Supreme, që ktheu procesin në pikën zero.

Vrasja e dyfishtë, iu nënshtrua një gjykimi maratonik, të cilit po i shihet fundi në horizont.

Pas fjalës përfundimtare të mbrojtjes së tij, i akuzuari Ndrecaj për fund para gjykatës dha mesazhin se vëllai i ish-gruas së tij është fajtor për atë çfarë ka ndodhur.

“Shkëlzeni mi past në qaf familjen”, tha Ndrecaj.

Mbrojtja e të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, theksoi se vrasja e vajzës së tij ishte aksidentale dhe se i akuzuari ka trauma të luftës

Në anën tjetër, Prokuroria kërkoi që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Ndërkaq, avokati i palës së dëmtuar, Isa Osdautaj, kërkoi nga gjykata një dënim maksimal për të akuzuarin Pjetër Ndrecaj.

Në seancën e fundit, Pjetër Ndrecaj kishte dhënë mbrojtjen e tij.

Në këtë rast kishte dëshmuar edhe eksperti i psikiatrisë.

Pjetër Ndrecaj ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij. Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.

Në nëntor të vitit të kaluar, Ndrecaj ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Gjykimi për vrasjen e gruas dhe vajzës, eksperti i psikiatrisë: I akuzuari Pjetër Ndrecaj nuk ka çrregullime mendore