Gjykimi i ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës. FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Afër fundit gjykimi i ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës

Në gjykimin ndaj dhjetë ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në seancën e sotme është dhënë fjala përfundimtare.

Kjo shënon seancën e fundit para se Gjykata Themelore në Prishtinë do të jap sërish vendimin e saj në këtë rast, pasi ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit.

Dhjetë ish-inspektorët para dy viteve ishin dënuar nën akuzën për keqpërdorim detyre lidhur me disa ndërtime të kundërligjshme në kryeqytet.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Haliti, avokati Ramiz Krasniqi në fjalën përfundimtare ka deklaruar se kërkesa e shtruar nga përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës është jo konkrete dhe nga e njejta nuk mund të ketë përgjigje konkrete.

“Në faqen 1 pasuesi 2, Drejtoria e Urbanizmit pas shqyrtimit të kërkesës jo konkrete e ushtruar nga ana e avokatit të Komunës, si mund të kemi një përgjigje konkrete?” tha avokati Krasniqi.

Ai poashtu shtoi se njoftimi nr. rendor 1 NTSH “Export Import Nazi, lagjja Lakrishte nuk  përmban lejet ndërtimore për këtë investitor, e që janë shumë leje lidhur me këtë objekt të lëshuar nga Komuna

Avokati Halit Shaljani, përfaqësues i të akuzuarës Blerina Syla tha se mbështet parafolësin e tij dhe tha se nuk ka besim në përgjigjen e dhënë nga Komuna.

“Mbështes kolegun Ramiz dhe si dokument që nuk mund të jetë i besueshëm i datës 28.10.2020, në të cilin shkruhet për lëndën “ËG contruction” që ka vetëm aktvendimin për rrënim ndërsa nuk ceket leja që i është lëshuar me 18.06.2014. Andaj duke pas parasysh përgjigjen në këtë parashkresë, nuk mund t’i besojmë kësaj përgjigjeje të dhënë nga Komuna.

Avokati Ali Beka, i cili përfaqëson të akuzuarin Vehbi Abdullahu, tha se pasqyrimi i gjendjes së objekteve të prezentuara në parashtresë sipas objekti të aktakuzës, janë të mangëta.

“Për parashtresën e organit kompetent të Komunës konsideroj se lidhur me pasqyrimin e gjendjes së objekteve të prezentuara në ketë parashtresë sipas objektit të aktakuzës, janë të mangëta. Konkretisht nuk kanë dhënë asnjë sqarim lidhur me rastet ku investitorët kanë bërë pagesën e taksës së lejes së ndërtimit, ndërsa organi kompetent nuk ka lëshu leje dhe nuk i është përgjigjur këtyre kërkesave të investitorëve”, tha avokati Beka.

Avokati Emrush Kastrati, i cili përfaqëson të akuzuarin Adrian Muhadri, tha se poashtu përkrah qëndrimin e avokatit Krasniqi dhe shtoi vërejtjet për kompaninë “Tregtia”.

“Përkrahim qëndrimin e avokatit Ramiz Krasniqi lidhur me vërejtjet për këto parashtresa, ndërsa kemi vërejtje për investitorin e kompanisë “Tregtia” i cili nuk ka kërkuar lejen e tejkaluar për legalizim. Cila mund të jetë përgjegjësia e të mbrojturit tim?, ku i njejti që nga 2014 është largu nga puna, dhe tani për 6 vite Komuna nuk i kryen detyrimet  e saj’, tha avokati Kastrati

Ai poashtu shtoi se saktësia e dokumentit mund të jetë joreale.

Ai poashtu shtoi se është e pamundur të konstatohet dëmi, pa konstatim të ekspertit financiar.

“Sa i përket dënimit që Komuna thotë se i është shkaktuar, taksat për leje ndërtimi nuk kanë ndryshu nga viti 2013 deri në vitin 2018, përpos këtij fakti sipas mendimit tim është e pamundur të konstatohet dëmi, pa konstatim të ekspertit financiar”, tha avokati Kastrati.

Përfaqësuesi i autorizuar i Komunës, Arbër Istrefi tha se mbështet fjalën përfundimtare dhe kërkon që të udhëzohen nga Gjykata.

“Mbetem si në tërësi të fjalës përfundimtare duke kërkuar nga Gjykata që të udhëzohemi në kontest civil nga Gjykata, ku duhet të vërtetohet lartësia e dëmit të shkaktuar pasi është e vërtetë se këtu ka nevojë të bëhen ekspertiza të shumta, të cilat detajisht do na mundësojnë të vendosim në procedurë civile”, tha avokati Istrefi.

Ai poashtu shtoi se Komuna konsideron se ka dhënë prova materiale.

“Komuna si palë e dëmtuar, konsiderojmë se kemi dhënë prova materiale siç jemi udhëzu nga Apeli dhe shkalla e parë duke theksu dhe plotësu se drejtoria e inspeksionit informatën që ka lëshuar siç theksohet në paarshtresë janë nga data baza – të dhënat kompjuteristike pasi që dosjet origjinale gjenden në peokurori. Sa i përket të gjitha lejeve që u ceken nga mbrojtja janë paraqitë në parashtresën e 29.09.2020 nga Drejtoria e Urbanizmit”, shtoi avokati Istrefi.

Kujtojmë se në prill të vitit 2018 tashmë dhjetë ish-inspektorët e komunës së Prishtinë ishin shpallur fajtor nën akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ishin dënuar me rreth 20 vjet burgim. Disa prej tyre ishin dënuar edhe me gjobë.

Pas ankesave të mbrojtësve të të pandehurve, Gjykata e Apelit e kishte anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer rastin në rivendosje.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ku të lartcekurit nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendonte se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Sipas aktit akuzues i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers” ka ndryshuar dokumentin origjinal publik, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, në mënyrë që gjatë muajit shtator të vitit 2013, në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, ka dorëzuar lejen ndërtimore, lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit për ndërtimin e një objekti në Prishtinë, të cilës leje ia ka bashkangjitur skicën e ndryshuar të projektit kryesor, duke u paraqitur se kinse posedon leje ndërtimore për atë objekt.

Me këtë prokuroria po akuzon se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit.

Gjyqtari Beqir Kalludra tha se përgjigjet nuk i kanë përfshirë të gjitha të dhënat, lidhur me objektin.

“Përgjigjet nuk i kanë përfshirë të gjitha të dhënat lidhur me objektin, ne do ti shqyrtojmë këto”, tha gjyqtari Kalludra.

Shpallja e aktjgykimit do të bëhet më datën 10.11.2020, në ora 9.