Foto: Lëvizja Vetëvendosje në Facebook

Afër dhe larg zgjedhjeve

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, partia e Albin Kurtit doli bindshëm si më e votuara duke thyer rekorde elektorale në Kosovë. Për herë të parë një parti politike apo një koalicion mori mbi 50% të votave. Por, kur kanë kaluar një vit e gjashtë muaj qeverisje nga Vetëvendosje, partitë opozitare kanë nisur takimet me qytetarë ndërsa një deputete nga GP i partisë në pushtet u largua, e në anën tjetër, Vetëvendosje ka nisur publikimin e disa spoteve, ku godet kundërshtarët politikë. 

Pak kush besoi se një parti politike do të merrte më shumë se gjysmën e të gjithë votuesve në zgjedhjet nacionale të vitit 2021. Por, Albin Kurti ishte i bindur në fitoren e thellë dhe vazhdimisht fliste për një fitore me mbi 50%, që do t’i mundësonte atij krijimin qeverisë, i pandikuar nga partnerët paszgjedhor. 

Me një afrim me Vjosa Osmanin dhe grupin e saj politik të quajtur ‘Lista Guxo’, me personalitete të larguara nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe emra të rinj, morën 438 mijë e 335 vota. 

Kjo i mundësoi Albin Kurtit të merrte drejtimin e qeverisë për herë të dytë brenda një viti. Qeveria Kurti 2 u votua më 22 mars 2021, më 67 vota.

Por, së fundmi nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje u largua deputetja, Doarsa Kica Xhelili, që ishte pjesë e nismës politike “Lista Guxo”. 

Ndërkohë, të tjera largime nga GP i Vetëvendosjes u paralajmëruan, por ende asgjë nuk ka zyrtarisht.

Në këtë situatë, opozita kosovare nisi të riorganizohej në terren. 

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, filloi takime me qytetarë nëpër komunat e Kosovës. Ndërsa, LDK paralajmëroi takime me bizneset dhe grupet e tjera të shoqërisë për të dëgjuar hallet e tyre, e PDK i ka shpeshtuar takimet me degët e saj.

 Zgjedhje të parakohshme?

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, por edhe më herët, asnjë qeveri në Kosovë nuk ka arritur ta përfundojë mandatin e plotë. Krejt kjo për shkak të problemeve mes partnerëve në qeverisje. 

Nëse në mbrëmjen e 14 shkurt 2021, kjo nuk dukej problem për Lëvizjen Vetëvendosje, problemet e muajve të fundit brenda grupit parlamentar, ka rritur aspiratat e opozitës për një mundësi të re, që vendi të dërgohet në zgjedhje, para 2024, kur përfundon mandati i qeverisë Kurti II.

Pas largimit të deputetes Doarsa Kica-Xhelili, Grupi Parlamentar i LVV-së në Kuvend i ka 58 deputetë.

Ndërkohë, disa nga anëtarët e partive të komuniteteve pakicë nuk patën qëndrime të njëjta si partia në pushtet kur u kërkua votimi i nismave ligjore në “tempullin e demokracisë”. 

Deputetja, Duda Balje ka shprehur haptaz disa herë kundërshtimet e saj me qeverinë, derisa së fundi edhe “konkretizoi” një bashkëpunim me LDK. 

Përmes një njoftimi në Facebook, Abdixhiku konfirmoi se mes LDK-së dhe partisë që drejtohet nga Duda Blalje do të ketë një bashkëpunimin. 

Përveç deputeteve, Kica-Xhelili e Balje, LVV-së i është hapur edhe një front me disa deputetë, origjina e së cilëve është pikërisht Lëvizja Vetëvendosje. 

Eman Rrahmani së fundmi doli kundër qëndrimeve të ekzekutivit kosovar kur flitej për pagesat e mësimdhënësve gjatë grevës një mujore por edhe dallim në qëndrime sa i përket Kodit Civil.  

Ndërsa, ditë më parë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, gjatë një konference për media kërkoi dorëheqjen e Mimoza Kusari-Lila nga shefja e Grupit Parlamentar.

“Po [e kam kërkuar], mungesa e kohezionit që një deputet që nuk është pjesë e LVV-së, e bënë komplekse përfaqësimin e grupit parlamentar. Nuk e shoh vetëm në këtë pozitë” – deklaroi Abazi.

Analistit politik, Artan Muhaxhiri në një bisedë për KALLXO.com thotë se opozita kosovare aktualisht nuk ka fuqi politike të rrëzojë ekzekutivin që drejtohet nga Albin Kurti. 

“Zakonisht, zgjedhjet e reja në Kosovë vijnë si rezultat i çarjeve brenda koalicioneve qeveritare, ose kalkulimeve të liderëve partiakë për marrëveshje paszgjedhore” – thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, opozita e tashme nuk ka “as fuqi, e as vullnet për të shkaktuar në zgjedhje të reja”. 

“S’ka vota të mjaftueshme për mocion mosbesimi në Kuvend, por as projeksione të bazuara bashkëpunuese që do të mund t’ia garantonin ardhjen në pushtet pas zgjedhjeve” – vlerëson Muhaxhiri. 

Por megjithatë, opozita ka nisur një angazhim serioz, të parin pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën para një viti në Kosovë. 

Më 7 shtator, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj qëndroi në Prizren. Atje, tha ai, pranoi shumë shqetësime për hallet e qytetarëve.

“Interesimi i prizrenasve ishte i madh, e së bashku biseduam për qeverisjen, situatën ekonomike, çmimet, krizën energjetike, dialogun me Serbinë e të tjera. Kam pranuar shumë komente nga qytetarët e Prizrenit dhe kam dhënë mendimet e mia për çështjet me të cilat ata preokupohen” – shkroi Haradinaj në Facebook.

Në kuadër të ciklit të bashkëbisedimit me qytetarët e Kosovës, Haradinaj pas dy ditësh shkoi edhe në Kamenicë.

Në anën tjetër, LDK paralajmëroi se do të nis takimet së shpejti më qytetarët, për siç tha ish-kryeministri, Avdullah Hoti, të bisedojë me ta për “sfidat nëpër të cilat po kalojmë në vitin e dytë të qeverisjes së majtë dhe për qasjen tonë në adresimin e këtyre sfidave”.

“Në javët në vijim, Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë në qytete e fshatra për të biseduar me qytetarë dhe me biznese. Do të dëgjojmë secilin” – shkroi Hoti.

Aktivitete pati edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Zyrtarët e saj u angazhuan për mobilizim në diasporë të strukturave të tyre. Për këtë, u kujdes në vazhdimësi gjatë verës, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica

Numrat në Kuvend pas kalimit të Doarsa Kica Xhelilit në LDK. Grafika: KALLXO.com

Por, sipas analistit Muhaxhiri, mobilizimi i opozitarëve në terren, nuk është tregues se mund të rrëzohet qeverisja e Kurit. Sipas tij, ekziston vetëm një mundësi që pushteti aktual të rrëzohet e vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Partitë opozitare mund ta synojnë mobilizimin e elektoratit vetëm me reformim të strukturave, ide kreative dhe projekte bindëse për zgjidhje të problemeve. Përqendrimi ekskluziv në kritika ndaj veprimeve të Qeverisë nuk sjell ndryshim të mirëfilltë të mënyrës së perceptimit të tyre nga ana e qytetarëve, rrjedhimisht as përmbysje të përqindjeve të tanishme të përkrahjeve politike” – vlerëson ai.

 “Vetëm krijimi i ndonjë gjendjeje tejet të veçantë, nxitur nga presioni i madh ndërkombëtar për shkak të bllokimit të planeve gjeostrategjike dhe gjeopolitike, mund të ketë pushtet transformues të skenës politike kosovare” – thotë Artan Muhaxhiri.

‘Ikja’ e Kica-Xhelilit

Gjatë verës që po lëmë pas, u përfol se deputetja Doarsa Kica-Xhelili do të ndajë rrugët me partinë që e formoi Vjosa Osmani. 

Më 9 shtator, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i lumtur, e prezantoi atë si anëtaren më të re të partisë.

“Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë” – shkroi Abdixhiku.

Vetë deputetja tha se arsyeja pse ndërroi partinë është se LDK është duke u reformuar.

 “Unë e kam gjet vetën në takime me anëtarë dhe strukturë të Guxo ku është përmendur fakti që disi Guxo janë në fakt LDK-ja e vërtetë, fryma e vërtetë e LDK-së apo Rugovistët e vërtetë” – tha ajo

Albin Kurti, Doarsa Kica-Xhelili dhe Vjosa Osmani, Foto: Doarsa Kica-Xhelili në Facebook

Në prill të këtij viti, një deputete tjetër e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit ndërroi partinë. 

Në ditën kur Vjosa Osmani luftonte për të kapur kulmin e karrierës së saj politike, votimin si presidente, deputetja e Adelina Grainca, që ishte bërë deputete me votat e PDK-së, iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje dhe duke kontribuar rëndësishëm në procesin e votimit të Vjosa Osmanit si presidente, përmes realizimit të kuorumit prej 80 deputetëve. Osmani fitoi në raundin e tretë ku në votim morën pjesë 82 deputetë.

Deputeten e zgjedhur Grainca e kishte prezantuar kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

“Deputetja më e re e Kuvendit të Republikës, znj. Adelina Grainca, na u bashkua sot në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ajo është në përfundim të studimeve Master në Universitetin Amerikan në Kosovë. Do të punojmë bashkë për progresin e gjithmbarshëm” – kishte shkruar Kurti në Instagram.

Largimi i Doarsa Kica-Xhelilit, sipas analistit Artan Muhaxhiri paraqet një rast ndryshe nga herët e kaluara, kur deputetet ndërruan partitë. 

“Përvojat e kaluara kanë treguar se kalimet e tilla rrallë bëhen për arsye ideologjike, por më shumë janë të ndërlidhura me ndonjë kërkesë, ose premtim, të papërmbushur nga udhëheqësi partiake përkatëse” – thotë ai.

“Gjithsesi, ky paraqet një rast më atipik, pasi kalimi ka ndodhur nga grupi parlamentar i pozitës në një nga grupet parlamentare opozitare” – shton Muhaxhiri.

Sipas tij, në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë për ndryshime ideologjike, për shkak të kohës së shkurtër prej kur legjislatura e fundit e Kuvendit u betua.

“Është bërë vetëm një vit e gjysmë prej konstituimit të kësaj legjislature të Kuvendit, prandaj kjo nuk është kohë e bollshme për ndryshim aq të madh të pozicioneve ideologjike në raport me pikënisjet fillestare, që do të shpinte drejt ndarjes përfundimtare të rrugëtimit të përbashkët politik” – thotë ai.

Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje i ka 58 deputetë në Parlament. Me kalimin e deputetes Kica Xhelili në LDK, ky grup parlamentar pritet t’i ketë 16 deputetë. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës, ka 18 deputetë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përfaqësohet me 8 deputetë, Lista Serbe përfaqësohet me 11 ulëse, grupi multietnik me 8 ulëse si dhe një deputet pa grup parlamentar.

Përplasjet brenda të majtëve

Lëvizja Vetëvendosje në dekadën e fundit pati rritje të votës secilën palë zgjedhje që u mbajtën në Kosovë. Në vitin 2010, partia e Albin Kurtit vendosi që orientimin e saj dhe politikat e majta t’i përfaqësojë edhe në Kuvendin e Kosovës. 

Në zgjedhjet nacionale atë kohë ajo fitoi 14 ulëse në Parlament. Ndërsa, dy vite më vonë, në vitin 2013, në zgjedhjet lokale, LVV e fitoi qeverisjen lokale në kryeqytet, me Shpend Ahmetin kryetar.

Në zgjedhjet nacionale të vitit 2014, Vetëvendosje mori dy deputetë më shumë se në vitin 2010, duke siguruar 16 ulëse. Ndërsa, në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2017, LVV dyfishoi deputetët, duke fituar 32 ulëse. 

Por, përgjatë këtij viti, 12 deputetë, duke përfshirë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, lanë Vetëvendosjen. Numër të njëjtë të deputetëve, partia e Albin Kurit i fitoi edhe në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit 2019.

Por, përgjatë kësaj kohe, në Vetëvendosje pati shumë ardhje e shumë ikje të deputetëve. 

Pakënaqësi u shfaqën edhe brenda strukturave qendrore e lokale.

Së fundmi, LVV organizoi zgjedhjet e brendshme e disa nga kandidatët u dorë hoqën nga gara duke shprehë pakënaqësi rreth “demokracisë së brendshme”. Pak para se të mbaheshin zgjedhjet e brendshme, tri dorëheqje erdhën në degën e LVV-së në Lipjan.

Pakënaqësi pati edhe në degën e LVV-së në Ferizaj, Podujevë e Prizren ndërsa dorëheqje nga gara e brendshme u njoftuan në Viti e Mitrovicë.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Podujeva, Fatmir Humolli, kur u diskutua për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, doli kundër partisë. Ai tha se do të votonte për tërheqjen e parave, nëse një gjë e tillë hedhet në votim në Kuvend. Ai doli kundër partisë edhe kur nisi debati për listat e veteranëve, duke mbështetur këta të fundit në kërkesën që kategoria e tyre të përshihet në pagën minimale prej 250 euro.

Si rrallë herë, qëndrime kundër partisë nga një numër i madh i deputetëve të Vetëvendosjes pati edhe kur në Kuvend shkoi për shqyrtim Projekt-kodi Civil.

Ishin 14 deputetë të Grupit Parlamentar të LVV-së dolën kundër qëndrimit zyrtar të partisë. 

Në këtë kot parashihej të rregulloheshin edhe bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta.

Opozita përballë pushtetit

Kur zgjedhjet i fitoi bindshëm Vetëvendosje, deklarimet publike të Albin Kurtit ishin se nuk do të bëjë koalicion me Listën Serbe. 

Ndonëse ai nuk ka bërë koalicion me Listën Serbe, kjo e fundit, ashtu siç parashihet me Kushtetutë është pjesë e institucioneve, ani pse, partia që drejtohet nga Goran Rakiq kundërshton shpesh Qeverinë e Kosovës

Madje, zyrtarët e lartë të kësaj parie thanë se kanë synime që ta rrëzojnë nga pushteti Albin Kurtin

Lista Serbe ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës, por ata jo gjithherë votojnë sikur shumica parlamentare.

Në anën tjetër, opozita kosovare ka shprehur qëndrimin se me votat e Listës Serbe, nuk do ta rrëzonte Qeverinë e Albin Kurtit.

“Jo, qeveria nuk bie asnjëherë për shkak të Listës Serbe”, kishte deklaruar Arben Gashi deputet i LDK-së.

Qëndrime të njëjta kishte shprehur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kuvendi i Kosovës më 22 mars 2021, Foto: Kuvendi i Kosovës

Kurti ishte rrëzuar nga ekzekutivi në mars të vitit 2020. Atë kohë, ishte iniciuar mosbesim dhe këtë e kishte përkrahur partia që ishte në koalicion me Vetëvendosjen, LDK. 82 vota ishin për, 34 kundër dhe 1 abstenim.

Qëndrimet kundër qeverisë aktuale, opozita i shpreh në Kuvend e në konferenca për media. 

Por, vetë kryeministri Kurti, vitin e kaluar, duke ironizuar, u kishte bërë thirrje opozitës që mos ta rrëzojnë nga pushteti.

“E kam një lutje në fund për ju, mos më rrëzoni edhe njëherë se mandej…Ju faleminderit!” – deklaronte Kurti para deputetëve.

Së fundmi, nga pozita e ministrit të Shëndetësisë ofroi dorëheqjen Rifat Latifi. Për këtë dikaster ambicie shprehën nga Lista Guxo, partia e cila bashkëqeverisë me Vetëvendosjen.