Afër arritja e dy koalicioneve në Gjakovë

Në Gjakovë ende nuk ka ndonjë koalicion zyrtar në mes të partive, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, qe mbahen me 14 nëntor.

Në balotazh në këtë komunë janë Ardiani Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Mimoza Kusari – Lila e Vetëvendosjes.

Por të dyja këto parti janë afër koalicioneve me dy parti të tjera.

Vetëvendosja pothuajse është marrë vesh me Nismën Socialdemokrate për bashkëqeverisje, nëse e fitojnë balotazhin, ndërsa AAK-ja është afër arritjes së marrëveshjes me LDK-në.

Kandidati i Nismës Socialdemokrate, Fazli Hoxha, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se me Vetëvendosjen janë shumë afër koalicionit.

“Jemi shumë afër marrëveshjes, zyrtarisht ende nuk e kemi arritur, por që besoj në ditët në vijim kemi me finalizu. Grupet punuese të dyja partive janë në koordinim për ta përmbyllur”, ka thënë Hoxha përmes telefonit.

Ndërsa kandidati i LDK-së, Teki Shala, ka thënë se në parim janë marrë vesh me AAK-në.

“Në parim për të gjitha temat ne jemi marrë vesh me AAK-në. Besoj që shumë shpejtë do të jetë edhe zyrtare marrëveshja”, ka thënë Shala.

Ndërsa dy partitë e tjera, PDK dhe PSHDK kanë thënë për KALLXO.com se janë ende në bisedime me dy partitë e balotazhit.

Arbnesha Kuqi e PDK-së dhe Ferdinand Kolaj i PSHDK-së kanë thënë se besojnë që para datës 14 nëntor, do të arrijnë marrëveshje me ndonjërën prej partive që garojnë në balotazh.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale me 17 tetor, në Gjakovë AAK-ja ka dalë e para me 46% të votave, e dyta Vetëvendosje me 37.08%, e treta është renditur PSHDK-ja me 6.64%, e katërta është LDK-ja me 5.60%, të pestët janë PDK-ja me 3.39%, ndërsa të fundit janë Nisma Socialdemokrate me 1.29%.