Afër 9 mijë lindje në 2021-ën në QKUK, në dy raste u lindën katërnjakë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se 8 mijë e 984 foshnje u lindën gjatë vitit 2021 në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Prej afër 9 mijë foshnjave, 202 janë binjakë, 16 trinjakë dhe 2 katërnjakë”, thuhet në njoftimin e ShSKUKS-së.

Sipas raportit të punës së bërë në Klinikën e Gjinekologjisë del se 4 mijë e 735 foshnje i përkasin gjinisë mashkullore, kurse 4 mijë e 249 foshnje tjera gjinisë femërore.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimin të ShSKUK-së, afër 7 mijë nga këto lindje kanë qenë normale.

“Vlen të theksohet se 2 mijë e 501 lindje janë kryer me operacion”, ka njoftuar SHSKUK.

Në prill të 2021-ës ShSKUK kishte njoftuar se vetëm në tre muajt e parë të vitit të kaluar në Klinikën e Gjinekologjisë kishin ndodhur pesë lindje me trinjakë dhe një me katërnjakë.