Afër 2,500 qytetarë kërkuan t’i konvertojnë patentët shoferët ilegalë në RKS
Afër 2,500 kërkesa janë bërë deri më sot, 11.07.2024, për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë në ato zyrtare – të lëshuara nga institucionet e Kosovës.
Kështu ka konfimuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
“Gjithsej janë 2499 kërkesa. 678 kërkesa janë bërë në Mitrovicën e Veriut, 355 në Zubin Potok, 428 në Zveçan dhe 670 në Leposaviq. Kërkesat janë bërë që nga data 09.05.2024 deri më 11.07.2024”- ka thënë Elshani, i cili ka shtuar se kërkesa të tilla ka pasur edhe në pjesë të tjera të Kosovës.
MPB më 07.05.2024 ka sqaruar se kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve dhe nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit, por vetëm aplikim të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për pajisje me dokumente.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videoadresimi në gjuhën serbe, ka deklaruar se që një kohë të gjatë kanë pranuar kërkesat e qytetarëve serbë të Kosovës për marrjen e një vendimi të këtillë.
“Kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Për më tepër nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim”- është shprehur Kurti.
Sipas MPB-së, për të aplikuar qytetarëve u duhet të dorëzojnë në Qendrën për pajisje me dokumente: letërnjoftimin, origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës, dhe origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill
Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kishte thënë se pala serbe ka kërkuar që të lejohet financimi i çfarëdo strukture paralele të Serbisë në Kosovë “deri në themelimin e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe)”.
Sipas Bislimit, pala serbe nuk tregoi se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.
https://kallxo.com/lajm/kthimi-i-patente-shofereve-ilegale-ne-rks-deri-tash-128-kerkesa/